Lidhje

Ministri Toska: Nisma e marrë është angazhim institucional e ligjor për të vendosur rendin brenda Rendit - 2004-04-12


Në Shqipëri është hapur një debat lidhur me lëvizjet dhe shkarkimet në polici. Që nga ardhja e tij në krye të Rendit, Ministri Igli Toska është bërë nismëtar i një aksioni për pastrimin e radhëve të policisë. Drejtues të lartë e deri tek agjentë të thjeshtë janë transferuar, larguar apo përjashtuar nga strukturat e rendit. Ky debat u ashpërsua këtë fundjavë pas akuzave të ish-Nëndrejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe më pas Drejtorit të Policisë së kryeqytetit, Pjerin Ndreu, sipas të cilit organizatat kriminale po ndikojnë në emërimet e drejtuesve të policisë në disa qarqe. Shtypi shqiptar ka ngritur pikëpyetje rreth faktit se janë hequr ata që kanë drejtuar dy operacionet më të mëdha të policisë - atë të antitrafikut të klandestinëve dhe atë të sekuestrimit të pasurive të trafikantëve. Zëri i Amerikës intervistoi drejtpërdrejt në emisionin “Ditari” Ministrin e Rendit, Igli Toska.

Zëri i Amerikës: Zoti Toska, para se të kalojmë tek ndryshimet në ministrinë e rendit, sot ju keni patur një takim me ambasadorin amerikan. Cili ishte synimi i takimit?

Ministri Toska: Është e vërtetë që sot kam patur një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, zotin James Jeffrey, dhe ky takim është një takim vazhdues në kuadrin e prioriteteve të përbashkëta që kemi, në kuadrin e thellimit të reformave strukturore, të konoslidimit të rendit e të qetësisë publike, duke rritur punën parandaluese, si dhe në kuadrin e thellimit e forcimit të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit institucional me partnerët tanë. Kjo është pak a shumë tema e bisedimeve me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Zoti Toska, lidhur me ndryshimet e fundit në ministrinë tuaj, shtypi ka hedhur dyshime se janë larguar drejtuesit e operacioneve kryesore që ka ndërmarrë policia shqiptare e që janë konsideruar dhe të sukseshme? A mund të na shpjegoni se cilat janë arsyet e lëvizjeve?

Ministri Toska: Në radhë të parë, do të doja që këtë pyetje ta ndaja në dy nënpyetje. Është e vërtetë që janë përjashtuar dhe janë dërguar në prokurori, disa pjesëtarë të policisë së shtetit, përfshirë këtu edhe të rendit të lartë, por është njëkohësisht e vërtetë, që në këtë debat janë përfshirë edhe ata punonjës policie, madje edhe të rolit të lartë, të cilët janë larguar nga kjo polici. Unë dua të theksoj se kjo nuk është një fushatë apo një gjueti shtrigash; kjo është një kredo dhe angazhim institucional dhe ligjor për të vendosur rendin brenda rendit, paralelisht me përmirësimin e rendit dhe të sigurisë publike. Ndoshta rëndësia e masave mund të çudisë ndokënd, por nuk mund të vazhdohet më me gjysëm-masa, apo me çerek-masa. Kush pengon drejtësinë dhe manipulon provat, kush është kthyer në asistent ose e mban uniformën për t’i shërbyer krimit e korrupsionit, apo që e koncepton policinë si ndërmarrje fitimprurëse, nuk ka më punë me policinë, por me drejtësinë. Unë dëshëroj t’ju kujtoj këtu edhe një raport të Departamentit Amerikan të Shtetit jo shumë kohë më parë se rreth dy mijë zyrtarë të niveleve të ndryshme të policisë shqiptare janë lidhur me krimin e organizuar. Këto vlerësime nuk janë përpiluar në Uashington - jam më se i sigurtë - por janë eksploruar, ju siguroj, në territorin shqiptar. Dhe, nëse luftojmë krimin dhe korrupsionin brenda radhëve të policisë, nuk e bëjmë se na thonë partnerët tanë euroatlantikë, apo për t’u bërë qejfin atyre, por sepse ky është vullneti ynë i palëkundur dhe vendosmëria jonë pa kompromis. Jo vetëm policia duhet të jetë në shërbim të publikut dhe të gëzojë besimit e tij, por edhe krimi i organizuar do të tentojë të depërtojë në individë të policisë, për t’i kthyer ata nga luftues, në ndihmës dhe aktorë të tij. Çdo lloj show, çdo lloj shantazhi afektiv dhe manipulim, apo kombinacion emocional për t’u shitur si martir, ne nuk na stepin. Ata nuk kanë dëmtuar vetëm imazhin e tyre personal, por mbi të gjitha imazhin dhe prestigjin e institucionit të nderuar të policisë. Është e vërtetë që janë marrë një serë masash administrative, por gjithkush është ndëshkuar në bazë provash e faktesh, në bazë të ligjit për policinë e shtetit, me procedurë transparente, pa u mohuar resurset administrative dhe gjyqësore, ashtu siç do të promovohen njerëzit me vlera të larta profesionale dhe etike, ata që policinë e shohin si një shërbim kritik dhe që kërkon edhe sakrifica dhe jo aktivitet për të akumuluar para për disa, dhe për të siguruar prona me shpejtësinë e dritës.

Zëri i Amerikës: Zoti Toska nga këto që thoni ju, kuptohet që në polici ka probleme të shumta. Sapo thatë që ky është një operacion për të vendosur rendin brenda rendit. Sa shqetësuese është gjendja në radhët e policisë?

Ministri Toska: Ky është një angazhim institucional. Pra, krahas vendosjes së rendit dhe të sigurisë publike në vend, kjo nisëm, ky bosht, kjo strategji e publikuar tashmë nga ne, do të vazhdojë paralelisht me vendosejn e rendit brenda rendit. Pra, pa vendosur rend brenda Ministrisë së Rendit, nuk mund të kemi rend e siguri publike në vend.

Zëri i Amerikës: Zoti Toska, lufta kundër krimit të organizuar, pavarësisht nga angazhimet e marra nga qeveria shqiptare, edhe në raportin e Bashkimit Evropian cilësohet e dobët. A është kjo paaftësi e policisë apo mungesë e vullnetit politik?

Ministri Toska: Unë, jo rastësisht, përmenda një raport të Departamentit amerikan të Shtetit, por duke marrë shkas edhe nga raporti i fundit i Bashkimit Evropian, i cili ishte realist, është e vërtetë që në një pikë të raportit thuhet që rezultatet e nën-Drejtorisë së Krimit të Organizuar në Policinë Kriminale janë shumë të ulëta. Kjo, në rast se pyetjen e parë e ndava në dy nënpyetje, është nënpyetja e dytë, që ka treguar, që ne jemi përgjegjur me masa administrative: lëvizje paralale, apo shkarkime në detyrë e të tjera masa si këto. //az//

XS
SM
MD
LG