Lidhje

Pajisje aritmie për foshnjet; ndalohet përdorimi i Efedrës; gjen kundër alkoholit - 2004-04-13


Mjekët në një spital të Floridës po përpiqen të mbajnë gjallë një foshnje lindur me probleme në zemër duke përdorur një aparat të pazakontë për rregullimin e rrahjeve të zemrës. Fëmija i porsalindur ka një numër difektesh në zemër, por ajo që është e pazakontë, zemra e tij ndodhet në krahun e djathtë të gjoksit. Fëmija ka edhe difekte si vrima dhe rrahje të çrregullta të zemrës. Për këtë qëllim, mjekët në spitalin Shën Xhozef në Tampa të shtetit Florida i kanë instaluar foshnjes një aparat të posaçëm aritmie. Nëna e tij thotë se tani e keqja më e madhe ka kaluar. Prindërit e tij kishin menduar se fëmija nuk do të jetonte. Në përpjekje për shpëtimin e jetës së fëmijës, mjekët i vendosën asaj një aparat mjaft të vogël, pak minuta pas lindjes. Foshnja mbahet në inkubator dhe mjekët thonë se atij i duhet të kalojë nëpër disa operacione të tjera për riparimin e zemrës. Mjekët thonë se për të patur një jetë aktive, fëmijës do t’i duhet të mbajë për jetë pajisjen kundër aritmisë.

Efedra

Sot në Shtetet e Bashkuara hyri në fuqi një ligj për ndalimin e shitjes së ilaçit mjaft të përhapur Efedra. Përdorimi i Efedrës për humbjen e peshës dhe formimin e muskujve lidhet me vdekjen e 155 personave. Në muajin dhjetor, Agjencia amerikane e ushqimeve dhe ilaçeve shpalli se do t’a hiqte nga qarkullimi këtë ilaç - afetiminë me bazë bimësh mjekësore dhe u bëri thirrje konsumatorëve që të mos e përdorin më. Shitja e Efedrës ra dukshëm pas reklamave për rrezikun që paraqet, dhe që arriti kulmin me vdekjen e bejsbollistit të njohur, Stiv Beçler, një vit më parë si pasojë e përdorimit të Efedrës.

Procedurë e re për përmirësimin e të parit

Agjencia e ushqimeve dhe ilaçeve miratoi gjithashtu një procedurë të re që do të ndihmojë miliona vetë të përmirësojnë shikimin pa përdorur syze. Procedura duket e thjeshtë. Brenda 5 minutave, mjekët vendosin përgjatë kornesë së syrit një fibër metalike mjaft të hollë dhe duke përdorur valë me frekuencë tepër të ulët ata riparojnë vendin e dëmtuar duke rregulluar shikimin. Kjo metodë ka vetëm katër vjet që është provuar, dhe askush nuk mund të thotë me siguri se sa afatgjate do të jenë efektet e riparimit ose çfarë ndikimesh të tjera mund të sjellë ajo. Ekspertët thonë se kjo procedurë mund të përdoret kryesisht për persona mbi 40 vjeç të cilët deri në atë moshë nuk kanë përdorur syze, por që më pas ndjejnë nevojën e tyre veçanërisht kur lexojnë.

Gjen i ri që mund të parandalojë dehjen

Shkencëtarët thonë se ndodhen në fazat eksperimentale të krijimit të një ilaçi për kontrollin e shkallës së të dehurit. Ata kanë zbuluar në laborator një gjen që shmang ndikimin e alkoholit tek krimbat. Susan Shiver ka shkruar një libër mbi jetën e Bill Uilsonit, bashkëthemelues i shoqatës së alkoholistëve. Dhe kjo jo pa qëllim; edhe përpjekjet e zonjës Shiver me alkoholin kanë qënë të hapura, të dhimbëshme dhe të tejzgjatura. “Është një betejë e vështirë”, thotë ajo. Alkoholist ka qënë edhe babai i saj, por vitet e fundit ai hoqi dorë prej pijes, falë shoqatës kundër alkoholit. Kur pinte ai bëhej i padurueshëm, por kur hoqi dorë prej pijes ai u bë një prind i përsosur. Shkencëtarët besojnë se familje të tilla që kanë probleme me alkoholin mund të përfitojnë nga eksperimentet me krimba në laborator. Siç njoftohet në revistën Discovery, shkencëtari Stiven Makintajër zbuloi një gjen që nxit dehjen tek krimbat. Kur krimbat dehen, ata lëvizin më pak. Por krimbat me gjenin e çaktivizuar nuk preken nga alkoholi. Nga këto ekpserimente nëpërmjet kombinimeve të ndryshme mund të zbulohet gjeni që nuk preket nga alkoholi. Një gjen i tillë ekziston edhe tek njerëzit, prandaj doktor Makintajër shpreson të krijojë një ilaç që pengon dehjen. Kështu alkoholi do të bëhej pak tërheqës ose pak ndikues. Ai thotë se kjo do të ishte një mënyrë e re për trajtimin e sëmundjes, jo për kurimin e saj. Susan Shiver thotë se për alkoholin ekzistojnë pak mundësi kurimi. Ajo beson se alkoholi është çështje sa kulturore aq edhe kimike. Sipas Zonjës Shiver, reklamat televizive të pijeve alkoholike ose thirrjet e gëzuara për atë që pi më shumë shishe birre përbëjnë shembull negativ për fëmijët. Për afro 14 milionë amerikanë që bëjnë përpjekje të përditëshme për të hequr dorë nga pijet, rezultatet e punës kërkimore të doktor Makintajër mund të përbëjnë një mjet të ri në luftën kundër alkoholit.

XS
SM
MD
LG