Lidhje

Arrihet armëpushim në Sudan. - 2004-04-14


Vitin e fundit mijëra njerëz janë vrarë dhe qindra mijëra janë çvendosur nga luftimet që kanë shkaktuar mizori sidomos nga grupet e armatosura nga qeveria sudaneze. Adam Ereli, është ndihmës-zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit. Ai thotë se funksionimi i armëpushimit, është hapi i parë kyç për t’i dhënë fund mizorive dhe krizës humanitare në Darfur.

”Të gjitha palët ranë dakord të hiqnin dorë nga veprimet e armatosura dhe ne ia bëmë të qartë qeverisë sudaneze se presim që Sudani të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të ndaluar dhunën dhe mizoritë e shkaktura nga grupet e armatosura.”

Gjatë viteve, komunitetet arabe dhe afrikane në Drafur janë përleshur shpesh për tokën dhe burimet e pakta. Konflikti i tanishëm filloi rreth një vit më parë, kur dy grupe opozitare afrikane, Lëvizja për Çlirimin e Sudanit dhe Lëvizja Sudaneze për Drejtësi dhe Barazi, i bënë thirrje qeverisë që t’u përgjigjej ankesave për moszhvillimin e zonës Darfur. Qeveria u përgjigj duke ndihmuar grupet arabe të armatosura, kryesisht Janjaweed, në fushatën e tyre të vrasjeve dhe djegieve të fshatrave.

Afërsisht 700 mijë banorë afrikanë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre. Sipas Komisionerit të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, rreth 110 mijë të tjerë janë refugjatë në shtetin fqinj, Çad. Situata në Darfur, thotë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan, të bën të mendosh thellë. “Është thelbësore që punëtorëve ndërkombëtarë të ndihmave dhe ekspertëve të drejtave të njeriut t’u lejohet hyrja e plotë në atë zonë menjëherë. Ata kanë nevojë të shkojnë tek viktimat, tek ata që kanë nevojë për ndihmë.”

Shtetet e Bashkuara po dërgojnë zyrtarë në Darfur në vazhdën e një misioni të hershëm që identifikoi shumë nevoja humanitare. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuar dhe vende të tjera po dërgojnë ndihma në rajon. Përmes Programit Botëror të Ushqimit dhe agjencive të tjera të OKB-së, Amerika ka dërguar më shumë se 50 milion dollarë në ndihma. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ushtrimin e presionit të nevojshëm për siguruar zbatimin e armëpushimit, dhe të ndihmojë njerëzit që po vuajnë në Darfur. ***kh***

XS
SM
MD
LG