Lidhje

Evropa pas Madridit - 2004-04-15


Kohët e fundit në Evropë janë bërë një seri ndalimesh që lidhen me terrorizmin, një muaj pas shpërthimeve në Madrid më 11 mars. Evropianët kanë filluar ta kuptojnë më mirë rrezikun e terrorizmit pas asaj që ndodhi në Spanjë. 11 Marsi shënon një vijë ndarëse të rëndësishme, e cila do të lerë gjurmë në politikat e ardhëshme të Bashkimit Evropian.

11 mars: terroristët sulmojnë katër trena në Madrid, vetëm disa ditë para zgjedhjeve presidenciale në Spanjë. Të paktën, 200 vetë u vranë nga terroristë të lidhur me al-Qaidën. Valët e tronditjes u ndjenë në mbarë botën, por askund më shumë se në Evropë. Ja si shprehet Esther Brimer, profesore në Qendrën për Marrëdhënie Transatlantike në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins.

”Ndryshimi është se një sulm terrorist masiv ndodhi në kontinentin Evropian dhe kjo ka zgjuar me të vërtetë shqetësimin publik për terrorizmin në Evropë”, -thotë profesorja.

Profesorja Brimmer thotë se egërsia e sulmit i ka bërë evropianët më të vetëdijshëm se ata mund të jenë viktimat e ardhshme të terrorizmit. Pas shpërthimeve të Madridit, zyrtarët forcuan masat e sigurimit dhe ndërmorën hetime për akte të mundshme terroriste në mbarë rajonin. Më 30 mars, policia britanike ndaloi tetë persona dhe sekuestroi gjysëm-toni nitrat amoni - pleh kimik që mund të përdoret për prodhim bombash. Këto arrestime u bënë në një seri bastisjesh anti-terror në Londër dhe periferi të saj. Bastisje të ngjashme në të gjithë Evropën kanë rezultuar në ndalime të tjera dhe sekuestrime meterialesh të rrezikshme.

Simon Serfati është drejtor i Departamentit të Studimeve Evropiane në të njëjtin universitet. ”11 marsi ka sjellë një ndjenjë urgjence në lidhje me realitetin e një kërcënimi terrorist. Ajo ndjenjë urgjence që ekzistonte në Shtetet e Bashkuara pas 11 shtatorit 2001, po bëhet më e pranishme për evropianët, sepse sulme të tilla mbërritën në Evropën kontinentale, brenda Bashkimit Evropian”, - thotë ai.

Profesor Serfati thotë se ka ndryshuar gjithashtu dinamika politike në gjirin e Bashkimit Evropian. Ai thotë se Bashkimi do të ndërmarrë përsëri nisma, si miratimi i një kushtetute, që më parë ishte bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet vendeve-anëtare. Profesor Serfati vëren në Evropë një frikë të përzier me zemërim.

”Sulmet e ndryshuan dinamikën në marrëdhëniet publike. Domethënë, para 11 marsit evropianët mendonin se rreziku ekzistonte realisht, por se ai nuk ishte kaq afër dhe prandaj nuk ishte ende e domosdoshme të merreshim me shkaqet rrënjësore që qendrojnë në themel të kërcënimit terrorist”,- thotë profesori.

Profesor Serfati thotë se bashkëpunimi ndërmjet Evropës dhe Amerikës mund të shtohet, me përjashtim të rastit kur shtrohet çështja e Irakut. Shumë evropianë ishin kundër luftës, gjë që u pa në Madrid pas shpërthimeve, kur qindra-mijëra spanjollë dolën në rrugë në shenjë zie për viktimat, për të shprehur zemërimin e tyre ndaj asaj që kishte ndodhur, për shkak se ngjarja mund të kishte lidhje me pjesëmarrjen e Spanjës në luftën e Irakut, si dhe ndaj përpjekjeve të qeverisë për t’ua lënë fajin separatistëve bashkë.

Ata e shfaqën pakënaqësinë e tyre në qendrat e votimit dhe, papritmas, rrëzuan partinë në pushtet. Kryeministri i ri spanjoll, i cili i ishte kundërvënë luftës, po kërcënon të tërheqë forcat spanjolle nga Iraku. Zonja Brimmer mendon se kjo do të shkaktonte probleme për Presidenti Bush. ”Administrata amerikane ka nevojë të ketë si mbështetjen politike të aleatëve të saj të Natos, ashtu edhe kontributin ushtarak që jep Spanja”,- thotë profesorja. Ajo thotë se ndjenjat kundër luftës, të kombinuara me trysni ekonomike në mbarë rajonin, mund të jenë shenjë e ndryshimeve të mëtejshme në Evropë.

Koha do të tregojë se sa të shpejta do të jenë këto ndryshime dhe nëse do të ketë një rritje të bashkëpunimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës në këtë fushë të re beteje, siç është lufta kundër terrorizmit.// lk //

XS
SM
MD
LG