Lidhje

Demokracia në botën arabe i shërben sigurisë në botë - 2004-04-16


Në një konferencë zhvilluar kohët e fundit në Aleksandri të Egjiptit, udhëheqës të shoqërisë civile nga një numër vendesh arabe arritën në përfundimin se “Reformat janë të nevojshme dhe duhet të fillojnë menjëherë.” “Deklarata e Aleksandrisë” thotë se çdo vend arab duhet të ketë “një organ të zgjedhur legjislativ, një sistem të pavarur gjyqësor dhe mbikqyrje kushtetutore, si dhe parti politike me ideologji të ndryshme.” Presidenti George Bush ka thënë se tani në rajon po dëgjohen zërat demokratikë:

“Më ka shtuar shpresat debati për reforma, që ka filluar në Egjipt, përfshirë edhe diskutimet e shkëlqyera ku janë angazhuar përfaqësues të shoqërisë civile nga bota arabe, të cilët u takuan në Bibliotekën e Aleksandrisë në mars,” tha presidenti Bush.

Shtetet e Bashkuara po zbatojnë atë që e kanë cilësuar si strategjinë e drejtpërdrejtë të lirisë në Lindjen e Mesme. Është qëndrim i gabuar dhe prej mendjemadhi ta konsiderosh kulturën arabe dhe islamizmin si të papërshtatshme me lirinë dhe vet-qeverisjen, siç bëjnë disa. “Nuk duhet të ketë dyshim,” tha presidenti Bush, “se demokracia është një synim realist për mbarë Lindjen e Mesme.” Por siç u shpreh presidenti në takimin e tij të 12 prillit me presidentin egjiptian Hosni Mubarak në Teksas, pikënisja drejt një Lindjeje të Mesme të begatë dhe në paqe është heqja dorë nga terrorizmi:

“Egjipti po mban një qëndrim të prerë kundër terrorit duke punuar për të ndërprerë veprimtaritë dhe aftësitë e organizatave terroriste në rajon. Këto janë politika të një vendi dhe një kryetar shteti që e kupton se çfarë kërcënimi përbën terrorizmi për të gjithë ne, si për vendin tim, vendin e tij, të gjitha vendet arabe, Izraelin ashtu edhe për të ardhmen e shtetit palestinez,” tha presidenti Bush.

Armiku më i madh i demokracisë është terrorizmi. Në Lindjen e Mesme dhe gjetkë rreziku është shumë i lartë. Për sa kohë që Lindja e Mesme është një vend ku sundon tirania, dëshpërimi dhe zemërimi, ajo do të nxjerrë individë dhe lëvizje që kërcënojnë lirinë. Shtetet e Bashkuara synojnë të çojnë përpara demokracinë për arsyen më praktike sepse vendet demokratike nuk mbështesin terrorizmin dhe as nuk kërcënojnë botën me armë të shkatërrimit në masë. //ad//

XS
SM
MD
LG