Lidhje

Analistët shprehin shqetësim për forcimin e radikalëve në Serbi - 2004-04-16


Ndërsa Kroacia fqinje po përgatitet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian në vitin 2007, periudha trevjeçare kalimtare e Serbisë drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut të lirë ka patur probleme serioze. Disa analistë i shqetëson mundësia se një parti radikale nacionaliste serbe është duke u forcuar ndjeshëm dhe mund të arrijë të fitojë në zgjedhjet e qershorit, gjë që do t’i hapte rrugën retorikës së vjetër për Kosovën.

Kryeredaktori i Radio-Televizionit B92, Veran Matiç, tha të enjten në Institutin amerikan të Paqes se kryetari i Partisë Radikale serbe, Tomislav Nikolic, ka të ngjarë të fitojë në zgjedhjet presidenciale të 13 qershorit.

Radikalët, dikur aleatë me Sllobodan Millosheviçit, ishin ata që u paraqitën më mirë në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit, duke fituar 25 përqind të votave. Por megjithë rezultatet e tyre të mira, Radikalët janë në opozitë dhe nuk bëjnë pjesë në koalicionin e ri qeveritar të reformistëve të moderuar të kryesuar nga ish Presidenti i Jugosllavisë, Vojislav Koshtunica.

Analisti politik, Obrad Kesic, është dakord se zoti Nikolic ka të ngjarë të zgjidhet president, ndoshta edhe në raundin e parë të zgjedhjeve. Ai thotë se Radikalët kanë mbështetjen e popullit të diziluzionuar me rezultatet e pamjaftueshme të refomave 3-vjeçare dhe që është kundër kërkesave të përsëritura të perëndimit që Sërbia të bëjë më shumë për të kompensuar luftrat e njëpasnjëshme të Jugosllavisë. Zoti Kesiç nuk është i mendimit se fitorja e Tomislav Nikoliçit do të ishte shkatërrimtare.

Por Veran Matiç i Radio-Televizionit B92 në Beograd, thotë se qeveria e Koshtunicës do të bjerë, në qoftë se zoti Nikoliç zgjidhet president.

“Në qoftë se një nga partitë e koalicionit qeveritar do të largohej, po të fitone Nikoliçi, atëhere teorikisht ne do të kishim zgjedhje të reja. Por nga ana tjetër ne kemi një rast shumë të mirë që të gjitha partitë demokratike të shkojnë të bashkuara në zgjedhje”.

Një analist tjetër politik, Damian Krnjeviç-Miskoviç, kreyredaktor i revistës National Interest në Uashington, beson se qeveria e tanishme do të qendrojë në pushtet edhe në qoftë se Tomislav Nikoliçi zgjidhet president. Ai thotë se është në interesin e të gjitha partive që marrin pjesë në qeveri dhe të partisë socialiste që e mbështet atë edhe pse është jashtë qeverisë që ajo të mos shpërbëhet, pasi socialistët e kanë të qartë se po humbasin me shumë shpejtësi popullaritetin.

Por Veran Matiç është pesimist për të ardhmen e Serbisë. Ai thotë se vendi po shkon gjithnjë e më tepër drejt izolimit dhe pa një vizion të qartë për të ardhmen. Zotin Matiç e shqetëson edhe statusi i pazgjidhur i Kosovës që i hap rrugë retorikës së vjetër, ndërkohë që janë shtuar prirjet për shkëputje edhe në pjesë të tjera të Serbisë. //kk//

XS
SM
MD
LG