Lidhje

Bush, Blair: plani i Izraelit - mundësi për përparimin e paqes në rajon - 2004-04-16


Presidenti Bush dhe Kryeministri Blair thanë në një konferencë shtypi të përbashkët se po shqyrtojnë planin e Izraelit për t’u tërhequr nga Gaza, i cili njëkohësisht parashikon mbajtjen e disa pjesëve të Bregut Perëndimor, si një mundësi për përparimin e paqes në Lindjen e Mesme.

Presidenti Bush tha se plani i Izraelit është një mundësi shumë e mirë për Lindjen e Mesme. “Ai u jep palestinezëve mundësinë të krijojnë një qeveri të lirë, të reformuar dhe të drejtë. Udhëheqja palestineze duhet të tregojë se është e aftë ta shfrytëzojë këtë sfidë.”- tha presidenti.

Plani i kryeministrit Sharon parashikon shpërnguljen e 21 vendbanimeve hebraike nga Rripi i Gazës dhe nga katër rajone të tjera të thella në Bregun Perëndimor, duke forcuar në të njejtën kohë kontrollin izraelit mbi kolonitë e tjera hebraike në Bregun Perëndimor.

Kryeminisitri britanik Tony Blair, tha se plani i tërheqjes i jep komunitetit ndërkombëtar një mundësi të ndihmojë palestinezët të krijojnë institucione të qëndrueshme politike.

Pas takimit dje me kryeministrin Sharon në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Bush tha se pas krijimit të një shteti të pavarur palestinez, refugjatët palestinezë duhet të vendosen atje, në vend që të pretendojnë për tokat që tani i takojnë Izraelit.

Ky plan u pasua me kritika të menjëhershme nga udhëheqës arabë dhe palestinezë, rreth asaj që njihet si “e drejta e palestinezëve për t’u kthyer në tokat e tyre”.// lk //

XS
SM
MD
LG