Lidhje

Serwer: Gjendja në Kosovë mund të keqësohet, nëse nuk zhduken burimet e dhunës - 2004-04-16


Një ekspert për çështjet e Ballkanit thotë se për të parandaluar përsëritje të dhunës si ajo e muajit të kaluar në Kosovë, duhen goditur burimet që e ushqyen këtë dhunë. Daniel Serwer, ekspert i Institutit Amerikan të Paqes tha se strategjia e standardeve para statusit për Kosovën nuk është e mjaftueshme për zgjidhjen e problemeve.

Zoti Serwer tha se ajo që ndodhi me 17 deri më 19 mars ishte shumë e rëndë, por paralajmëroi se ngjarje edhe më të rënda mund të ndodhin nëse nuk zgjidhen problemet që shqetësojnë Kosovën.

“Nëse mendoni se kjo ishte më e keqja që mund të ndodhte në Kosovë, mendoj se gaboheni, tha ai. Mund të ndodhin ngjarje shumë më të rënda, gjendja mund të ashpërsohet shumë më tepër”.

Zoti Serwer theksoi se ajo që duhet bërë tani është goditja e burimeve që ushqejnë dhunën, të cilat sipas tij janë ekstremizmi, dëshpërimi dhe izolimi i rinisë dhe vonesat për statusin përfundimtar të Kosovës.

“Nëse nuk zgjidhen këto probleme, tha ai, në të ardhmen mund të pritet përsëri dhunë që do të shkaktonte një katastrofë, më të keqe edhe nga ajo që ndodhi”.

Ai paralajmëroi se nëse ndodh një një e tillë mund të kërcënohej vetë ekzistenca e operacioneve ndërkombëtare atje.

Në një dokument që ia ka shpërndarë anëtarëve të Kongresit, zyrtarëve të administratës dhe organizatave të interesuara për Ballkanin, ai propozon inkurajimin e të moderuarve, si edhe hapa intensive për të kapur shkaktarët e dhunës, riparimin e dëmeve dhe inkurajimin e serbëve të zhvendosur për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, krijimin e Ministrive të Brendshme dhe të Drejtësisë në Kosovë, si edhe të një sekretariati për çështje ndërkombëtare.

Zoti Serwer theksoi se ndërsa për shembull Washingtoni dhe Brukseli janë të përfaqësuar në Prishtinë, Prishtina nuk është e përfaqësuar në këto kryeqytete dhe kjo sjell izolim për Kosovën.

Zoti Serwer mendon gjithashtu se ka ardhur koha për një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën. Ai tha se megjithëse nuk pret që kjo të ndodhë menjëherë, beson se tashmë është diçka e domosdoshme për të përcaktuar paramentrat për statusin përfundimtar. Zoti Serwer, që ka propozuar që shefi i UNMIK-ut të jetë amerikan, këmbënguli përsëri tek forcimi i pranisë amerikane.

“Kjo është ajo që mungon, tha zoti Serwer. Çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhet nëse nuk dëgjohet fort zëri i Shteteve të Bashkuara”.

Ai theksoi se megjithëse Shtetet e Bashkuara janë tani të përqendruara në çështje të tjera të politikës së jashtme dhe mund të mos jenë shumë të vëmendshme ndaj asaj që ndodh në Ballkan, ato nuk mund të injorojnë dy probleme kryesore atje: Të ardhmen e Kosovës, dhe atë të Serbisë.

Zoti Serwer, tha se megjithëse për momentin Amerika nuk ka interesa aq të mëdha strategjike në Kosovë, ajo nuk do të humbë atë që ka arritur atje, duke çliruar një popull dhe duke investuar aq shumë me luftën dhe trupat pas luftës.

Sipas tij arsyeja tjetër e domosdoshmërisë së angazhimit amerikan është se Shtetet e Bashkuara nuk do të donin të braktisnin një popullsi kryesisht të besimit mysliman, gjë që mund të bënte të pakënaqur myslimanët në pjesë të tjera të botës.

Zoti Serwer nuk i dha shumë rëndësi çështjes së dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit në kuadrin e parandalimit të ngjarjeve të tjera të dhunshme.

Ai tha se ky dialog nuk ka ndonjë rol në shmangien e ekstremizmit, madje nëse pjesëmarrësit atje marrin qëndrime të ashpra, mund ta nxisin atë.

Në dokumentin e hartuar nga zoti Serwer, nuk përjashtohet ndarja e Kosovës. Ai tha se një gjë e tillë mund të diskutohet me kushtin që të mos jetë si precendent për diskutime për ndarjen e Bosnjës dhe Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG