Lidhje

Reformat në CIA dhe FBI nuk do të jenë të lehta - 2004-04-17


Dështimi për të zbuluar komplotin për sulmet terroriste të 11 shtatorit ka nxitur thirrje për ndryshime në strukturat e agjencive të zbulimit amerikan.

Si FBI-ja ashtu edhe CIA janë kritikuar gjatë dëshmive që ka zhvilluar komisioni, i cili po heton mbi sulmet e 11 shtatorit. Ndryshimi i mënyrës se si funksionojnë agjencitë amerikane të zbulimit dhe se si bashkëpunojnë ato me njera tjetrën nuk do të jetë i lehtë.

Komploti për sulmet e 11 shtatorit 2001 filloi jashtë territorit amerikan dhe u përpunua në Shtetet e Bashkuara. Por planet për këto sulme nuk u diktuan as nga CIA nëpër botë e as nga FBI-ja në Amerikë. Presidenti Bush, mes personash të tjerë, ka thënë se dështimi tregon që ka shumë nevojë për reforma në sektorin e zbulimit, veçanërisht në atë të brëndshëm.

Se si do të zbatohen këto reforma nuk është e qartë. Por të gjithë janë të një mendimi se agjencia e zbulimit në botë dhe ajo në vend duhet të bashkëpunojmë më shumë me njera tjetrën. Todd Masse, specialist për zbulimin e brendshëm dhe kundër-terrorizmin pranë Shërbimit Kërkimor të Kongresit, thotë se lufta kundër terrorizmit kërkon një bashkëpunim më të ngushtë.

“Mendoj se këto dy agjenci duhet të bashkëpunojmë më nga afër me njera tjetrën sepse terrorizmi është krim dhe kërcënim për sigurimin kombëtar. Me qëllim që ky kërcënim të parandalohet, duhet të ketë një bashkëpunim të madh mes të gjitha agjencive, përfshirë atë të ruajtjes së rendit, zbulimit, qarqet diplomatike e ato ekonomike.”

Por një gjë e tillë nuk do të jetë e lehtë. Me kalimin e viteve, FBI-ja dhe CIA nuk e kanë besuar njera tjetrën. Ndryshe nga shumë vende të tjera, funksionet e zbulimit të brëndshëm dhe atij të jashtëm janë mbajtur të ndarë në Shtetet e Bashkuara. Në fakt, krijimi i CIA-s më 1947 u prit me reagime negative nga populli, i cili mendonte se CIA do të bëhet një “Gestapo Amerikane.” Për atë arsye, CIA, nuk lejohet me ligj të kryejë operacione në Shtetet e Bashkuara dhe funksionet e zbulimit të brendshëm i janë besuar FBI-së.

John McGaffin ka një perspektivë të veçantë lidhur me këtë çështje. Në kohë të ndryshme ai ka pasur pozita të larta në të dyja këto agjenci. Ai ka shërbyer si ndihmës nën-drejtor për operacione në CIA si dhe ka qënë këshilltar i lartë i drejtorit të FBI-së. Ai thotë se CIA dhe FBI-ja janë përpjekur të shkëmbejnë përkohësisht punonjësit e tyre, por ai shtoi se dallimi kulturor midis agjentëve të CIA-s dhe policëve të FBI-së ishte shumë i madh.

“Kjo praktikë njihej si “Shkëmbim Pengjesh.” Një zyrtar i lartë nga secila agjenci shkonte në agjencinë tjetër dhe teorikisht zgjidhte probleme. Ka pasur shkëmbime të nivelit të lartë dhe të mesëm, por ende ekzistojnë probleme. Sulmet terroriste të 11 shtatorit ndodhën megjithë shkëmbimet që janë bërë midis CIA-s dhe FBI-së.”

Duke vënë në dukje, dallimin kulturor që ekziston midis dy agjencive, disa vëzhgues kanë bërë thirrje për një agjenci të re të zbulimit të brëndshëm. Por ka shumë njerëz, veçanërisht ish zyrtarë dhe zyrtarë aktualë të FBI-së, të cilët mendojnë se krijimi i një agjencie të tillë do të ishte një gabim shumë i madh.

Një raport i ri i Shërbimit Kërkimor të Kongresit propozon 5 alternativa për reformimin e zbulimit të brëndshëm, duke filluar nga shtimi i kompetencave të FBI-së deri tek heqja e të gjitha kompetencave të saj. Në konferencën e shtypit të martën, presidenti Bush nuk u angazhua për ndonjë ndryshim të vetëm, duke thënë se ishte i hapur për të dëgjuar alternativat e komisionit që po heton mbi sulmet e 11 shtatorit dhe të kongresit amerikan.//kk//

XS
SM
MD
LG