Lidhje

Një shoqatë fillon një program që do të parandalonte vetëvrasjet mes të rinjve - 2004-04-17


Numri i vetëvrasjeve në radhët e studentëve të kolegjeve amerikane është në rritje, gjë që ka shkaktuar panik tek administratorët dhe psikologët e shkollave.

Në mënyrë që të identifikohet sëmundja e depresionit në radhët e studentëve të kolegjeve, para se ajo të përparojë, Shoqata amerikane për Ndalimin e Vetëvrasjeve ka filluar një program për dallimin e rasteve të depresionit që në faza fillestare. Deri tani programi është zbatuar vetëm në dy universitete, por ky program pilot duket se ka një rezultat të menjëhershëm.

Zbatimi i programit filloi së pari në Univeristetin Ermory të Atlantës. Po si funksionon ai? Studentëve të porsaardhur në kolegj u dërgohet fillimisht një E-Mail, ku ata ftohen të marrin pjesë në një test anonim në internet, ku u kërkohet t’u përgjigjen pyetjeve lidhur me zakonet e tyre të ngrënies dhe gjumit, si dhe shkallën e ndjenjës së vetmisë dhe mungesës së shpresës. Pastaj studentët vlerësohen në bazë të përgjigjeve të tyre nga psikologë të specializuar në këtë fushë dhe cilido që duket se rrezikohet të ketë depresion, ftohet të shkojë në klinikën e Ermori-t, për të folur me mjekun, apo psikologun. Një prej këtyre studentëve është edhe Ashley:

“I mora menjëherë rezultatet e testit, që tregonin se kisha nevojë të flisja me mjekun, apo psikologun. Specialistët mendonin se kishte shumë mundësi që të isha me depresion”.

Ashley thotë se nuk kërkoi të takohej menjëherë me psikologun, por pas disa javësh ajo mori një tjetër E-Mail, ku nxitej të takonte një specialist psikolog dhe këtë herë, ajo la takim me të. Tani ajo mjekohet me ilaç që kuron depresionin dhe takohet një herë në javë me sociologun e klinikës. Ashley thotë se me fillimin e kolegjit, jeta e saj ndryshoi dhe ishte shumë më e ngarkuar se sa gjatë viteve të shkollës së mesme; dhe ajo mendon që nuk është e vetmja që ka përjetuar këto ndryshime. “Në vitet e kolegjit studentët ndjehen të pasigurtë. Nga njëra anë, ata janë nën presionin e vazhdueshëm të prindërve, që kërkojnë t’i venë para përgjegjësisë se çdo të bëjnë në të ardhmen. Në moshën e rinisë, jo të gjithë studentët i kanë mekanizmat që të përballojnë depresionin që ndjejnë”, thotë Ashley.

Sipas një studimi të kohëve të fundit, të zhvilluar në Universitetin e Kansas-it, gjatë dekadës së fundit, numri i studentëve amerikanë me depresion është dyfishuar, kurse numri i studentëve që mendojnë të kryejnë vetëvrasje është trefishuar.

Vetëvrasjet janë shkaktari kryesor i vdekjeve në radhët e studentëve amerikanë, pas aksidenteve automobilistike. Sipas një studimi të Universitetit të New Yorkut, gjatë 6 muajve të fundit një në katër studentë kanë kryer vetëvrasje. Specialistët thonë se një nga arsyet e shtimit të numrit të studentëve me depresion, është se mjekët kanë filluar identifikimin e problemeve emocionale tek fëmijët e shkollave.

Adminiatratorët e kolegjeve ndodhen para sfidash të mëdha, për shkak se prindërit e studentëve ndodhen me qindra e shpeshherë mijëra kilometra larg fëmijëve të tyre gjatë viteve që ata studjojnë në kolegj.

Synimi i programit të ri për dallimin e studentëve me depresion është që të evidentohen studentët e prekur nga kjo sëmundje, duke ruajtur fshehtësinë e testeve në internet, gjë që krijon mundësinë që studentët të shkojnë vetë tek mjeku i kolegjit.

Këtë vit programi ka filluar të zbatohet edhe në Universitetin e Karolinës së Veriut. Zyrtarët thonë se ai nuk kushtohn shumë dhe se ai i ndihmon studentët me depresion. Megjithatë, zyrtarët presin për rezultatet e efektivitetit të programit, para se ai të fillojë të zbatohet në të gjitha universitetet amerikane. //kk//

XS
SM
MD
LG