Lidhje

Takim i rallë i drejtëpërdrejtë amerikano-iranian - 2004-04-17


Një diplomat amerikan zhvilloi një takim të rallë të drejtë për drejtë me një zyrtar iranian në përpjekje për të ndërmjetësuar në përfundimin e një kryengritjeje të luftëtarëve shiitë, të udhëhequr nga një klerik rebel.

Takimi u zhvillua ndërkohë që udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë u zotuan që të mos e lejojnë këtë kryengritje të dëmtojë planet për kalimin e pushtetit politik irakianëve më 30 qershor.

Demonstratat e djeshme në qytetit e shenjtë shiit Naxhaf të Irakut u zhvilluan nga përkrahësit e klerikut Maktada Al-Sadër. Naxhafi vazhdon të mbahet i rrethuar nga 2 mijë e 500 trupa amerikane, të cilët kanë kërcënuar të hyjnë në qytet, gjë që rrezikon të zemërojë komunitetin shiit të Irakut, që përbën shumicën në atë vend. Forcat amerikane e kanë kushtëzuar hyrjen në Naxhaf me dështimin e negociatave me klerikun, të cilat synojnë t’i japin fund një kryengritjeje të përkrahësve të tij, që kundërshtojnë pushtimin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Përpjekjet për t’i dhënë fund krizës kanë bërë që Shtetet e Bashkuara të krijojnë një kontakt të rallë të drejtë për drejtë me Iranin. Zëdhënësi i koalicionit, Dan Senor, u tha gazetarëve se qeveria iraniane kërkoi dhe pati një takim me një diplomat amerikan në Bagdad, por qeverisë së Teheranit iu tha që të mos ndërhynte në këtë krizë.

“Ne patëm një mesazh të vendosur për iranianët pa përjashtim për sa i përket rolit të tyre në Irak, që të jenë konstruktivë e jo destruktivë. Nga pikpamja jonë, iranianët nuk kanë ndonjë rol për të luajtur në situatën e krijuar nga kleriku Al-Sadër dhe në fakt ne mendojmë se çështja e klerikut dhe milicisë së tij duhet të zgjidhet nga irakianët.”

Ndërsa fliste dje para përkrahësve të tij, kleriku Maktada Al-Sadër, paralajmëroi forcat e koalicionit për pasojat e një konfrontimi. Ai dënoi planet për kalimin e pushtetit politik të vendit më 30 qershor, duke thënë se sovraniteti mund të rivendoset vetëm nëpërmjet një vote popullore.

Por pas takimit me kryeministrin britanik Tony Blair, presidenti Bush u zotua të përfundojë misionin në Irak. Ai u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se koalicioni nuk do të përulet para përpjekjeve për të ngjallur frikë dhe kërcënim.

“Dhe kjo është arsyeja që kur flasim për diçka në Irak, ne do ta bëjmë atë sepse duam që në atë vend të krijohet një shoqëri e lirë.”

Presidenti dhe kryeministri Blair mbështetën një plan paraprak të të dërguarit të Kombeve të Bashkuara Lakhdar Brahimi, për kalimin e pushtetit politik deri më 30 qershor.

“Ideja është që të krijohet një qeveri e spektrit të gjerë dhe më pas vitin e ardhshëm të hartohet një kushtetutë e re dhe më në fund të mbahen zgjedhjet demokratike,” tha kryeministri Blair.

Megjithatë ky plan duhet të hidhet në votë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, madje OKB-ja ka paralajmëruar se hapat paraprake për mënyrën se si do të qeveriset Iraku pas 30 qershorit mund të rrezikohen në se vazhdon niveli i tanishëm i dhunës.

//ze//

XS
SM
MD
LG