Lidhje

Drama e fëmijëve ushtarë - 2004-04-18


Kombet e Bashkuara thonë se rreth 300 mijë fëmijë shërbejnë në forca kryengritëse dhe ushtri qeveritare në mbarë botën. Shumica nuk merr pjesë vullnetarisht në këto forca.

Ata rrëmbehen nga fshatrat e tyre për të shërbyer si ushtarë, luftëtarë guerilas ose në role mbështetëse në konflikte të armatosura në më shumë se 50 vende. Studiuesit belgë thonë se nëse një i ri mbijeton një përvojë të tillë të vështirë, ai mbetet me plagë të rënda psikologjike.

Organizata Human Rights Watch thotë se mosha mesatare e fëmijëve ushtarë është 13 deri në17, por disa prej tyre mund të jenë edhe 8 apo 9. Ata përdorin armët në betejë, shërbejnë si detektorë të minave, marrin pjesë në misione vetëvrasëse dhe veprojnë si spiunë apo zbulues.

Jo Becker e organizatës Human Rights Watch thotë se fëmijët zakonisht janë ushtarë të bindur pasi janë të pambrojtur dhe mund të frikësohen shpejt.

“Mijëra fëmijë janë rrëmbyer nga shtëpitë dhe komunitetet e tyre dhe ndaj tyre janë ushtruar format më të egra të dhunës”.

Një studim i specialistëve belgë arrin përfundimin se këta të rinj mbeten me plagë të rënda psikologjike. Ilse Derluyn dhe kolegët e tij në Universitetin Ghent intervistuan më shumë se 300 ish fëmijë ushtarë të rrëmbyer nga një organizatë rebele në veri të Ugandës. Gati 97 përqind e tyre vuanin nga trauma nervore gati dy vjet pas shërbimit.

Komuniteti ndërkombëtar është përqëndruar gjatë viteve të fundit në përpjekjet për zgjidhjen e këtij problemi. Konventa e vitit 2002 për të drejtat e fëmijëve, Organizata ndërkombëtare e Punës dhe Marrëveshja e vendeve afrikane mbi të drejtat dhe mirëqënien e fëmijëve ndalojnë përdorimin e fëmijëve si ushtarë. Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve e cilëson rekrutimin e fëmijëve ushtarë si krim lufte.

Por, në një koment në revistën mjekësore Lancet e cila publikoi studimin belg, thuhet se Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk i ka ndëshkuar shkelësit, megjithë debatet e përvitshme mbi këtë çështje që nga viti 1998.

Megjithatë, Jo Becker e organizatës Human Rights Watch përmend disa hapave pozitive. Ajo thotë se Fondacioni i OKBsë për fëmijët ka punuar me qeveri dhe organizata private për të rehabilituar mijëra fëmijë në Sierra Leone, Sudan, Afganistan dhe vende të tjera.

Një gjykatë speciale në Sierra Leone ka akuzuar 11 persona me krimin për rekrutimin e fëmijëve gjatë konfliktit. Zonja Becker thotë se të gjitha vendet duhet të vendosin sanksione kundër atyre qërekrutojnë fëmijë për ushtarë. //kk//

XS
SM
MD
LG