Lidhje

Irak: Vriten 10 ushtarë amerikanë - 2004-04-18


Dhjetë ushtarë amerikanë dhe një numër i madh kryengritësish irakianë janë vrarë në luftime në gjithë Irakun, përfshirë 5 marinsa amerikanë në një betejë pranë kufirit me Sirinë që zgjati thuajse gjithë ditën.

Zyrtarë ushtarakë amerikanë konfirmuan vrasjen e marinsave pranë qytetit Husejbah dhe thanë se deri në 30 kryengritës mbetën të vrarë në betejën 14 orëshe që u nxit nga sulmi kundër një partulle të marinsave amerikanë.

Në shënjestër të sulmeve të kryengritësve ishin edhe përforëcime amerikane të mbështetura nga helikopterë. Një stacion televiziv arab njoftoi se marinsat ishin sot në kontroll të të gjitha hyrjeve në qytet.

Në pjesën jugore të Irakut, tre ushtarë amerikanë u vranë dje vonë kur autokolona e tyre u sulmua pranë qytetit Divanijeh. Dy ushtarë të tjerë amerikanë u vranë në incidente të veçanta.

Ndërkohë, forcat amerikane në Irak kanë mbyllur pjesë të dy rrugëve kryesore automobilistike që çojnë në Bagdad, pas sulmeve të kryengritësve që kanë penguar transportimin e furnizimeve për në kryerqytetin irakian.

Gjenerali Mark Kimit tha se rrugët kanë nevojë për riparime dhe duhen mbrojtur. Në një deklaratë të forcave ushtarake amerikane paralajmërohet gjithashtu se të gjithë ata që udhëtojnë nëpër pjesët e rrugëve të mbyllura për arsye sigurimi, mund të bëhen objekt sulmesh.//kk//

XS
SM
MD
LG