Lidhje

Washingtoni nuk kishte dijeni më parë rreth planeve të Izraelit për të vrarë udhëheqësin e Hamasit - 2004-04-19


Në Washington, administrata e presidentit Bush tha se nuk kishte dijeni më parë rreth planeve të Izraelit për të vrarë udhëheqësin e organizatës ekstremiste palestineze, Hamas, në Gaza dhe nuk e mbështeti këtë sulm.

Duke marrë pjesë në programin This Week të rrjetit televiziv amerikan ABC, këshilltarja amerikane e sigurimit kombëtar, Kondoliza Rais, u pyet në se Shtetet e Bashkuara i dhanë Izraelit “dritën jeshille” për sulmin me raketë të së shtunës, nga i cili u vra udhëheqësi i Hamasit, Abdel Aziz Rantisi.

“Presidenti Bush nuk u angazhua në një gjë të tillë. Presidenti nuk diskuton me kryeministrin operacionet izraelite. Ne u kemi thënë në mënyrë të përsëritur izraelitëve se ndërsa ne e kuptojmë dhe e mbështesin të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur, është shumë e rëndësishme që Izraeli të ketë parasysh pasojat për çdo gjë që bën.”

Më parë, në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë u bëhej thirrje të gjitha palëve në procesin e paqes në Lindjen e Mesme që të “ushtrojnë përmbajtjen në maksimum” dhe të përqëndrohen në hapat që mund të meren për ta bërë të sukeshme tërheqjen e Izraelit nga Gaza.

Këshilltarja e sigurimit kombëtar Rais tha se koha e veprimeve është kritike dhe se vrasja e Abdel Aziz Rantisit mund të mos jetë bërë në një moment të përshtatshëm, vetëm pak ditë pas vizitës së kryeministrit izraelit Ariel Sharon në Washington.

Zonja Rais hodhi poshtë çdo sugjerim se mbështetja nga administrata e presidentit Bush për planin e zotit Sharon për tërheqjen izraelite do të thotë se Shtetet e Bashkuara janë kundër palestinezëve. Zonja Rais u kujtoi shikusve gjatë emisionit të rrjetit televiziv ABC se presidenti Bush është udhëheqësi i parë amerikan që deklaroi në mënyrë fare të qartë se palestinezët meritojnë të kenë një shtet të tyre.

//ze//

XS
SM
MD
LG