Lidhje

”Plani i sulmit”, libri i ri i gazetarit Bob Woodward - 2004-04-19


Një libër i ri i titulluar Plani i Sulmit, po komentohet gjerësisht në mediat amerikane. Libri analizon rrjedhën e ngjarjeve që çuan në ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në Irak. Në libër thuhet se nënpresidenti Dick Cheney kishte informuar ambasadorin saudit në Uashington lidhur me vendimin e Presidentit për të ndërhyrë në Irak para se të informonte sekretarin e shtetit Colin Powell. Në libër thuhet gjithashtu se Presidenti Bush kishte dhënë urdhër për hartimin e planeve të ndërhyrjes vetëm pak muaj pas 11 shtatorit 2001, por këto plane u ishin mbajtur sekrete madje edhe disa prej anëtarëve të lartë të kabinetit.

Administrata e Presidentit Bush është përsëri nën presion për vendimin e saj që çoi drejt ndërhyrjes në Irak.

Në libraritë amerikane nesër del një botim tjetër, një libër i shkruar nga zëvendës kryeredaktori i gazetës Uashington Post, Bob Woodward.

Zoti Woordward thotë në libër se vendimi i Presidentit Bush për të ndërhyrë u ndikua pjesërisht nga sigurimet që i dha atij drejtori i CIA-s, George Tenet. ”Zoti Tenet, i cili ishte ulur në kolltuk, ngrihet dhe thotë, mos u shqetëso, kjo është diçka që zgjidhet menjëherë,” thotë zoti Woodward.

Ndërkohë që Shtëpia e Bardhë po përpiqet të qetësojë gjendjen në Irak, ajo po përgatitet t’u bëjë ballë edhe sulmeve terroriste që mund të ndërmerren në prag të zgjedhjeve të nëntorit. ”Ata mund të përpiqen të bëjnë diçka gjatë periudhës deri në zgjedhjet presidenciale. Për ata zgjedhjet do të ishin një rast mjaft i favorshëm që nuk mund ta lenë t’u shpëtojë. Prandaj ne po e studiojmë nga afër këtë mundësi,” thotë këshilltarja e sigurimit kombëtar, Condoleezza Rice.

Zyrtarët e zbulimit thonë se sulmi mund të ndërmerret në çdo kohë. Ata janë të shqetësuar kryesisht për objektiva të tilla të lehta që mund të sulmohen si monumente, komplekse dyqanesh apo stacione metroje. //rd//

XS
SM
MD
LG