Lidhje

Libri "Plani i sulmit" ngjall diskutime në Washington - 2004-04-20


Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell thotë se mbështet pa rezerva vendimin e Presidentit Bush për të ndërhyrë ushtarakisht në Irak. Sekretari Powell i bëri komentet dje, pas daljes në qarkullim të librit "Plani i sulmit", i shkruar nga ndihmës kryeredaktori i gazetës "Uashington Post", Bob Woodward. Zoti Powell hedh poshtë aludimet e zotit Woodwards se presidenti kishte vendosur që në janar të vitit të kaluar për të ndërhyrë ushtarakisht në Irak, ndërkohë që ende vazhdonin negociatat në Këshillin e Sigurimit. Sekretari Powell hodhi poshtë edhe pohimin e zotit Woodward, se aktualisht marrëdhëniet e tij me nënpresidentin janë shumë të ftohta.

Për Shtëpinë e Bardhë dje ishte një ditë mohimesh, pas aludimeve të bëra në librin e zotit Bob Woordward, "Plani i Sulmit". Autori e përshkruan administratën si të përçarë rreth çështjes së luftës në Irak. Sipas tij, Sekretari Powell qendronte në krye të atyre që e kundërshtonin planin.

"Ai kishte rezerva të mëdha ndaj luftës dhe e kishte paralajmëruar presidentin se Iraku mund t'i mbetej në dorë",- thotë Woodward.

Autori thotë se zoti Powell ishte lënë i painformuar, aq sa Presidenti as që i kishte kërkuar mendim për ndërhyrjen në Irak, pohim që Sekretari i Shtetit e mohon.

"Kur Presidenti vendosi se ne do të na duhej të ndiqnim rrugën e veprimit ushtarak, kjo ishte një rrugë që unë e dija se do të vinte dhe unë isha po aq i angazhuar sa edhe të tjerët që ai regjim të merrte fund"- thotë zoti Powell.

Zoti Powell ve gjithashtu në pikëpyetje pohimin e zotit Woodward se ambasadori saudit në Uashington, Princi Bandar, kishte dijeni për planin e luftës përpara zotit Powell.

"Unë isha në dijeni të hollësishme rreth planit, dija edhe se Princi Bandar ishte informuar rreth planit", thotë Sekretari i Shtetit.

Por ndoshta akuza më e rëndë që bëhet në libër është ajo për një ujdi, që sipas autorit kishte bërë Princi Bandar dhe Presidenti Bush për të ulur çmimet e naftës në prag të zgjedhjeve të nëntorit.

Por debatet më të shumta që ka ngjallur libri kanë të bëjnë me zotin Powell.

"Colin Powell shfrytëzoi personalitetin e tij ndërkombëtar për të reklamuar politikat e nënpresidentit Cheney në botë. Nuk e di se përse ka qenë aq i gatshëm ta bëjë këtë, por ky është realiteti", -shpjegon Fareed Zakaria, i revistës "Newsweek International".

Zoti Powell i ka hedhur poshtë ato që thuhen në libër se ai dhe zoti Cheney i kanë ftohur marrëdhëniet dhe flasin rrallë me njëri-tjetrin. Ai tha se me nënpresidentin janë miq të mirë që prej 20 vjetësh dhe se kohët e fundit kanë patur tre biseda të gjata në përgatitje për vizitën e zotit Cheney në Azi.// lk //

XS
SM
MD
LG