Lidhje

Kosovë: Grupi i Kontaktit, BE-ja, UNMIK-u dhe institucionet vendore debatojnë mbi përparimin politik në Kosovë - 2004-04-20


Përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit, që përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia, ata të Bashkimit Evropian, Misionit të Kombeve të Bashkuara dhe të institucioneve vendore të Kosovës, filluan sot serinë e takimeve që do të mbahen çdo gjashtë javë për të vlerësuar arritjet në procein e përmbushjes së standardeve për Kosovën.

I paramenduar si një grup përkrahës për Kosovën, një nismë kjo e Ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit Marc Grossman, ky mekanizëm do të punojë për të mbështetur procesin politik dhe ekonomik në Kosovë, veçanërisht procesin e përmbushjes së standardeve të përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare. Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi tha se ky ishte një takim shumë i rëndësishëm që synon të gjejë rrugët më të mira për përparimin e Kosovës.

“Sigurisht se pritjet janë të mëdha, për arsye se ky grup është shumë më operativ dhe mund t’i identifikojmë edhe prioritetet e prioriteteve për Kosovën dhe sa më parë të shkojmë drejt cakut, drejt implementimit të standardeve dhe që mesi i vitit 2005 mos te jetë vetëm dëshirë, por realitet dhe të filojë përcaktimi i statusit”, tha kryeministri Rexhepi.

Ai tha se së shpejti mund të pritet kalimi i më shumë përgjegjësive nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në shumë fusha, përveç në atë të mbrojtjes. Ai tha se ky synim është mbështetur nga vendet e Grupit të Kontaktit, të cilat kanë mbështetur edhe synimet e qeverisë për vendosjen e një dialogu të brendshëm ndërmjet komuniteteve. Ai tha se takimi i sotëm është shumë i rëndësishëm, posaçërisht për faktin se shënon shtimin e përkushtimit dhe përkrahjes amerikane ndaj Kosovës.

Edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, e vlersoi si shumë të rëndësishëm takimin e sotëm, që sipas tij, edhe njëherë ka dëshmuar se Shtetet e Bashkuara do të luajnë rolin udhëheqës në Kosovë.

“OKB-ja do të ketë rolin e vet të rëndësishëm edhe në të ardhmen e afërtë në Kosovë, por ne do të punojme me të gjithë potencialin tonë me Grupin e Kontaktit, me përfaqësuesit e Brukselit, po në të njëjtën kohë do të kemi një ndryshim të raportit në kuptimin pozitiv prej UNMIK-ut tek institucionet vendore”, tha zoti Thaçi.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thanë se takimi i sotëm ishte shumë i rëndësishëm, por pjesëmarrja e tyre në institucionet e Kosovës dhe procesin e standardeve varet nga qëndrimi i shumicës shqiptare.

Përfaqësuesit e vendeve të “pesëshes” në Prishtinë thanë se takimi i sotëm hap një fazë të re të procesit politik në Kosovë, pas ngjarjeve të dhunshme të muajit të kaluar, që siç thanë ata, nuk do të guxohet të përsëriten.// lk //

XS
SM
MD
LG