Lidhje

Irak: vriten 68 vetë në shpërthime të njëpasnjëshme në Basra - 2004-04-21


Në Irak, shpërthime të bashkërenduara vetëvrasëse në qytetin Basra dhe përreth tij shkaktuan vdekjen e 68 vetave, mes tyre shumë fëmijë.

Shpërthimet e djeshme të njëpasnjëshme, goditën 3 stacione policie në Basra. Mes të vdekurve ishin të paktën 16 fëmijë kopështi dhe vajza shkolle që po shkonin në dy autobuze.

Pak më vonë, një makinë tjetër bombë shpërtheu para një shkolle policie afër qytetit, duke shkaktuar vdekjen e 3 irakianëve. Ndërkohë, ushtria amerikane njoftoi se marinsat vranë 9 kryengritës pasi u sulmuan.

Tmerri përfshiu Basrën, qyteti i dytë më i madh i Irakut, ku disa makina bombë, me sa duket vepër e autorëve të sulmeve vetëvrasëse, shpërthyen dje në mëngjes afër stacioneve të policisë. Mes të vdekurve kishte edhe fëmijë shkolle. Basra, ku patrullojnë forcat britanike, ka qënë përgjithësisht e qetë që prej rrënies së Sadam Huseinit para një viti.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë i cilësoi shpërthimet si vepër vrasësish dhe terroristësh. Asnjeri nuk ka marrë përgjegjësinë për këto shpërthime, por guvernatori i Basrës shprehu besimin se ato u kryen nga ekstremistë, që kanë lidhje me Al-Kaidën.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, paralajmëroi se ajo që ndodhi në Basra është shenjë që tregon se dhuna në Irak po përhapet. Ai shtoi se një gjëndje e tillë do të ketë vetëm një ndikim negativ ndaj çdo vendimi të OKB-së për të rifilluar punën në Irak.

“Gjendja e sigurisë në teren ka një ndikim shumë të rëndësishëm ndaj vendimeve dhe veprimtarive tona.”

Zhurma e luftimeve intensive filloi përsëri në Falluxhah të Irakut perëndimor. Marinsat u përleshën dje me ekstremistë suni. Forcat amerikane thanë se ekstremistët nuk kanë kthyer ende armët e rënda, siç kërkohet nga një marrëveshje, që ka për qëllim shmangjen e një sulmi amerikan kundër qytetit.

Ndërkohë, një zyrtar i lartë i Pentagonit tha se ish punonjës të zbulimit irakian, besnikë të Sadam Huseinit, po luajnë një rol të rëndësishëm në kryengritjen e vazhdueshme, veçanërisht në sulmet me makina bombë kundër forcave të koalicionit.

Duke dëshmuar dje para një komisionit të kongresit, nën-sekretari amerikan i mbrojtjes, Paul Wolfowitz, citoi një raport sekret të zbulimit amerikan, në të cilin thuhej se grupi i stërvitur mirë ishte specializuar në rrëmbime njerzish dhe aeroplanësh, shpërthime dhe atentate.

Gjetkë po në Washington, presidenti Bush tha dje se forcat e koalicionit në Irak po përjetojnë kohë të vështira. Por ai mbrojti mënyrën se si e ka trajtuar gjendjen në Irak, duke thënë siç u shpreh ai, “Ne nuk do t’ia mbathim këmbëve nga Iraku.”

//ze//

XS
SM
MD
LG