Lidhje

Irak: gjykatë e posaçme për Sadam Huseinin dhe anëtarë të tjerë të regjimit të tij - 2004-04-21


Irakianët ngritën një gjykatë për gjykuar Sadam Huseinin dhe anëtarë të tjerë të regjimit të tij. Një zëdhënës i Kongresit Kombëtar Irakian tha se gjykata do të kryesohet nga Salem Çelebi, nipi i kreut të Këshillit Qeverisës, Ahmed Çelebi.

Zëdhënësi tha se Salem Çeçebiu ka emruar një komision prej 7 gjyqëtarësh dhe katër prokurorësh dhe se të tjerë do të emrohen më vonë. Ende nuk është caktuar data për gjyqin e Sadam Huseinit, i cili mbahet nga autoritetet amerikane që kur u kap në dhjetor.

Ndërkohë, dhuna vazhdoi edhe të martën në Irak. Kryengritësit hapën zjarr me mortaja kundër një burgu në afërsi të Bagdadit, duke shkaktuar vdekjen e rreth 20 vetave dhe plagosjen e shumë të tjerëve.

Gjenerali amerikan, Mark Kimit, thotë se të gjitha ata që u vranë në burg, ishin ndaluar nga forcat e koalicionit nën akuzat se përbënin kërcënim për sigurinë: “Sipas njoftimeve të para, tha gjenerali Kimit, burgu pranë Bagdadit u qëllua me 18 predha mortajash, duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 22 të burgosurve dhe plagosjen e mbi 100 tët jerëve”

Në atë burg mbahen rreth pesë mijë të burgosur. Ende nuk ka njoftime nëse personat që qëlluan burgun me mortaja janë kapur apo jo. Motivi i këtij sulmi ende nuk është i qartë, por gjenerali Kimit tha se synimi i tij mund të ketë qenë nxitja e një revolte apo e një ikjeje masive nga në burgu.

Në një zhvillim tjetër, zyrtarë ushtarakë amerikanë konfirmuan se dy punonjës arabë të një stacioni televiziv irakian që financohet nga Shtetet e Bashkuara, u vranë të hënën nga zjarri i forcave amerikane. Dhe në Irakun verior, zyrtarët thonë se një ushtar amerikan u vra gjatë një sulmi kundër autokolonës së tij pranë qytetit Mosul.

Ndërkohë, zëdhënësi i koalicionit shprehu dyshimin nëse një marrëveshje e arritur me udhëheqësit e qytetit Falluxhah në perëndim të Bagdadit, do të jetë e mjaftueshme për të bindur ekstremistët suni që të dorëzojnë armët e tyre të rënda dhe t’u japin fund luftimeve intensive me marinsat amerikanë.

XS
SM
MD
LG