Lidhje

Ndihmës-zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit për Evropën, Kathleen Stevens viziton Luginën e Preshevës - 2004-04-21


Ndihmës-zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit për Evropën, Kathleen Stevens ka vizituar sot Luginën e Preshevës, ku ka biseduar me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve dhe të Trupit Bashkërendues të Shtetit për Jugun e Serbisë, që e njoftuan zyrtaren amerikane lidhur me gjendjen aktuale politike dhe ekonomike në këtë trevë të banuar kryesisht me shqiptarë.

Zonja Stevens, gjatë vizitës së sotme në jug të Serbisë vlerësoi rezultatet e arritura në komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, në integrimin e të gjitha bashkësive etnike. Gjatë bisedës me përfaqësuesit e këtyre tri komunave ajo rikujtoi se qeveria amerikane nuk do ta tolerojë dhunën dhe ndryshimin e kufijve, thuhet në një informacion për shtyp të Ambasadës Amerikane në Beograd. Për vizitë në jug të Serbisë ka qenë sot edhe ambasadori i NATOs. Zonja Stevens dhe ambasadori i NATO-s Seri biseduan edhe me përfaqësuesit e Trupit Bashkërendues të Shtetit për Jugun e Serbisë dhe vizituan edhe shkollën e porsandërtuar në fshatin Smolicë të Bujanocit, të banuar me popullatë shqiptare.

Në Luginën e Preshevës sot kanë qëndruar edhe përfaqësuesit e Ambasadës amerikane në Beograd, të organizatave ndërkombëtare, NATOs, të Bashkimit Evropian dhe të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID, të cilët me këtë rast vizituan edhe një kamp të refugjatëve serbë nga Kosova në Bujanoc, si dhe pikëkontrollin policor në Konçul, në vijën administrative me Kosovën.

Ndihmës-zëvendëssekretarja amerikane e shtetit Stevens sonte (të mërkurën)shkon në Beograd dhe nesër (të enjten, 22 prill) do të bisedojë me zyrtarët më të lartë të Serbisë dhe të Unionti serbomalazez rreth situatës në Kosovë. Ditët e fundit ajo ishte në Kosovë, si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara në kuadrin e Grupit të Kontaktit, i cili dje në Prishtinë formoi edhe "Grupin për mbështetje Kosovës".

Sot pasdite në Beograd mbërriti edhe Ministri Britanik për Çështjet Evropiane, Denis Mekshejn, i cili u takua me kryeministrin e Serbisë Vojisllav Koshtuncia dhe nënkryeministrin Miriljub Llabus, por nga ky takim për momentin nuk është dhënë ndonjë njoftim. Edhe Mekshejn më parë ishte në Kosovë, ku ka biseduar me zyrtartë më të lartë të Kosovës dhe ata ndërkombëtarë rreth stabilizimit të rrethanave të shkaktuara atje pas dhunës së marsit.

Nesër, (të enjten), sipas njoftimit të Ambasadës britanike në Beograd, zoti Mekshejn do të takohet me kryetarin e Unionit Serbomalazez, Svetozar Maroviqin dhe do të vizitojë edhe Xhaminë Bajrakli të Beogradit, e cila është dëmtuar dukshëm nga djegia, si reagim ndaj trazirave të 17 marsit në Kosovë.// lk //

XS
SM
MD
LG