Lidhje

A do të ketë një kthesë në politikën  e SHBA në Lindjen e Mesme? - 2004-04-21


Vendimi i Presidentit Bush për miratimin e planit të kryeministrit izraelit Ariel Sharon për tërheqjen nga Gaza të Forcave izraelite ka ngritur pyetjet se a do të thotë kjo se kemi të bëjmë me një kthesë në politikën e Shteteve të Bashkuara dhe cili do të jetë ndikimi i saj? Në rast se kemi të bëjmë me kthesë, thonë disa ekspertë, kjo mund ta dëmtojë edhe më shumë imazhin e Shteteve të Bashkuara në botën myslimane

Dhjetra mijëra palestinezë protestuan të dielën nëpër rrugët e Gazës, për të shprehur dëshpërim për vrasjen e udhëheqësit Hamas Abdel Aziz Rantisi, me zotimin se do të hakmerren për vrasjen. Udhëheqësi i sapoemëruar i grupit ekstremist palestinez u vra gjatë një sulmi izraelit me raketa, vetëm disa javë pas vrasjes në të njejtën mënyrë të paraardhësit të tij, Sheikut Ahmed Yassin. Vrasjet janë pjesë e një fushate të vazhdueshme të Izraelit kundër grupit Hamas.

Palestinezët kanë përshtypjen se Shtetet e Bashkuara i miratojnë këto vrasje, sidomos pas deklaratës së Presidentit Bush për mbështetjen e planit të kryeministrit izraelit Sharon për tërheqjen e njëanshem nga Gaza. Këshilltarja e Sigurimit Kombëtar Kondoleeza Rice thotë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë patur dijeni paraprakisht për këto sulme. "Presidenti nuk diskuton operacionet izraelite me kryeministrin Sharon," -thotë zonja Rice.

Megjithatë, palestinezët u indinjuan që Shtetet e Bashkuara miratuan planin e zotit Sharon. Ja si shprehet Ted Carpenter, analist i politikës së jashtme në Institutin Cato në Washington: "Besoj se ekzistojnë shanset që Intifada të hyjë në një fazë më të dhunshme."

Kryeministri Sharon u takua javën e kaluar me presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë, për të diskutuar lidhur me planin e tërheqjes së njëanshme të Izraelit. Plani kërkon që Izraeli t’i evakuojë të gjitha vendbanimet dhe instalimet ushtarake në Gaza, por të vazhdojë të mbajë disa prej vendbanimeve në Bregun Perëndimor.

Ted Carpenter thotë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për këtë strategji sinjalizon për një kthesë në politikën amerikane. "Nuk është e qartë përse presidenti e bëri këtë kthesë pikërisht në këtë momnet, por mund të them me siguri që kemi të bëjmë me një kthesë në politikën amerikane në Lindjen e Mesme. Shtetet e Bashkuara më parë kishin përqafuar idenë e ekzistencës së dy shteteve, që do të thotë një shtet palestinez pa vendbanimet izraelite në Bregu Perëndimor dhe Gaza, si dhe garanci për sigurinë e Izraelit."- thotë analisti.

Pas takimit me kryeministrin Sharon, presidenti Bush tha se refugjatët palestinezë duhet të vendosen në një shtet të ardhshëm palestinez, dhe jo në Izrael. E drejta e refugjatëve palestinezë të zhvendosur për t’u kthyer në tokat e tyre ka qenë për një kohë të gjatë një pikë ku kanë ngecur bisedimet midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Palestinezët kanë këmbëngulur kurdoherë se duhet lejuar kthimi në tokat e tyre. Meyrav Wurmser, Drejtor i Qendrës për Politikat e Lindjes së Mesme në Institutin Hudson të Washingtonit, thotë se deklarata e presidentit Bush nuk do të thotë se kemi të bëjmë me një kthesë në politikën ndaj Lindjes së Mesme, siç mund të duket në pamje të parë. “Mungesa e së drejtës për t’u kthyer” ka të bëjë gjithashtu me zgjidhjen për ekzistencën e dy shteteve. Në se do të ekzistonte e drejta për t’u kthyer, atëhere nuk do të kishte një shtet hebraik. Në se miliona palestinezë do të ktheheshin në Izrael, kjo do të ishte shkatërrimtare për Izraelin."-thotë analisti.

Çështja e refugjatëve do të trajtohet në të ashtuquajturat bisedime për statusin përfundimtar, sipas planit ndërkombëtar të paqes të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Pavarësisht nga kjo, Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell këmbëngul se plani i paqes nuk ka marrë fund. "Izraelitët do të tërhiqen nga të gjitha vendbanimet e tyre në Gazë, si dhe nga 4 vendbanime të Bregut Perëndimor. Këtu kemi të bëjmë me fillimin e një procesi dhe jo me fundin e tij. Mendoj se komuniteti ndërkombëtar do të bashkohet me këtë propozim dhe do t’i ndihmojë palestinezët të ndërtojnë një jetë më të mirë në Gazë. Me heqjen e vendbanimeve dhe forcave mbrojtëse të Izraelit mund të fillojnë procesi i diskutimeve, negociatave dhe bisedimeve për satusin përfundimtar, të gjitha këto janë pjesë e planit të paqes."- thotë zoti Powell

Por analisti Wurmser nuk është edhe aq optimist. "Nuk jam i mendimit se procesi i paqes, do të përmirësohet ndjeshëm së shpejti."- thotë ai.

Disa ekspertë shqetësohen gjithashtu se kthesa në politikën amerikane do ta dëmtojë edhe më shumë imazhin e Shteteve të Bashkuara në botën myslimane, ku sipas tyre, Shtetet e Bashkuara nuk shihen më si një ndërmjetës i paanshëm, për shkak të mbështetjes së tyre të fuqishme për Izraelin.// lk //

XS
SM
MD
LG