Lidhje

Eksperiment i suksesshëm me avionët robotë Boeing - 2004-04-21


Zyrtarët e kompanisë së prodhimit të avionëve Boeing thanë se kishin mundur të lëshonin me sukses një bombë eksperimentale nga një aeroplan i telekomanduar. Provat u bënë të dielën në Bazën Ajrore Edwards të Kalifornisë Jugore. Aeroplani robot synon të zëvendësojë aeroplanët ushtarakë me njerëz, të cilët kryejnë misione në kushte të rrezikshme.

Zyrtarët e kompanisë Boeing dhe ata të ushtrisë amerikane thanë se kjo provë përbën një hap tjetër përpara për teknologjinë që ata shpresojnë se një ditë do të zevendësojë pilotët në rastet kur ata kryejnë misione të rrezikshme.

Nën kontrollin njerëzor por pa pilot, avioni provë, tip X-45, u nis nga baza ajrore në shkretëtirë, hapi portat e bombës dhe hodhi një bombë të vogël të telekomanduar prej 112 kilogramësh.Avioni u ul pastaj me sukses. Bomba inerte ra më pak se një metër larg një kamioni që ishte planifikuar të godiste.

Zyrtarët e Boeingut thanë se nëse bomba do të kishte mbushje të vërtetë, objektivi do të ishte shkatërruar plotësisht.

Avioni X-45 ishte i paraprogramuar me koordinatat e objektivit dhe e korrigjonte kursin e tij me anë të satelitëve të pozicionimit global.

Kontrollorët qendronin në një qendër telekomandimi 128 kilometra nga objektivi. Nga distanca, ata e autorizuan avionin të lëshonte bombën nga lartësia 10,500 metra. Avioni fluturonte me shpejtësi 710 kilometra në orë.

Planifikuesit ushtarakë amerikanë thonë se një avion i tillë mund të marrë pjesë në misione mjaft të rrezikshme, si për shembull në bombardimin e radarëve dhe të baterive kundërajrore të armikut për t’u hapur rrugën aeroplanëve me pilot.

Ky avion nuk ka bisht dhe krahët e tij arrijnë një gjerësi prej 10,2 metrash. Ai peshon 3,600 kilogram pa bomba dhe është avioni i parë pa pilot i prodhuar për qëllime ushtarake, pra për tu përdorur në luftime.

Avionë të tjerë robot, siç është ai i quajtur Predator që po përdoret aktualisht në Afganistan, janë modifikuar për të mbajtur armë. Boeingu shpreson të prodhojë qindra avionë të tipit X-45, të cilët do të kushtonin 10 deri në 15 milion secili.// lk //

XS
SM
MD
LG