Lidhje

Autoritetet jordaneze parandalojnë një komplot terrorist - 2004-04-23


Njoftohet se autoritetet jordaneze parandaluan një komplot të terroristëve të lidhur me Al-KAidën për të përdorur një armë kimike kundër ambasadës amerikane dhe disa ndërtesave qeveritare, përfshirë edhe zyrën e kryeministrit të Jordanisë. Policia njoftoi se arrestoi disa anëtarë të një celule terroriste, që thuhet se u themelua nga Abu Musab al-Zarqawi, anëtar i Al-Kaidës, që mendohet të jetë përgjegjës për sulme të shumta në Irak. “Ne gjetëm materiale kryesore për prodhimin e një bombe kimike,” tha një zyrtar jordanez.

Al-Kaida pësoi një humbje tjetër në Afganistan, falë një operacioni të përbashkët të policisë afgane dhe anëtarëve të forcës ndërkombëtare të sigurimit të udhëhequr nga NATO-ja. Zëdhënësi i kësaj force, Chris Henderson tregon se ç’ndodhi.

“Ata arrestuan 8 veta, që dyshohej se kishin lidhje me grupin terrorist Hezb-I-Islam të Gulbudin Hekmatjarit dhe Al-Kaidës. Gjatë një kontrolli të imtë të kompleksit u gjetën gjithashtu dokumenta që kishin lidhje me këto grupe terroriste dhe një sasi e vogël armësh. Gjatë bastisjes nuk pati të plagosur as nga forcat e agjencive të sigurimit dhe as nga njerzit që ndodheshin në kompleks.”

Mes të arrestuarve ishte edhe një komandant i grupit Hezb-I-Islam. I themeluar nga Gulbudin Hekmatjar në vitin 1977, Hezb-I-Islam ka pasur për një kohë të gjatë lidhje me Osama Bin Ladenin. Gjatë javëve të fundit, forcat afgane të sigurimit kanë arrestuar disa persona të dyshuar si anëtarë të grupit Hezb-I-Islam. Zyrtarë të Forcës Ndërkombëtare të Sigurimit thanë se Hezb-I-Islam, Al-Kaida dhe Talebanët e dëbuar po përpiqen të destabilizojnë Afganistanin dhe të parandalojnë zgjedhjet demokratike, të planifikuara për në shtator. Zëdhënësi i Forcës Ndërkombëtare të Sigurimit, Chris Henderson, tha: “Eliminimi i komandantëve të lartë të këtyre 3 organizatave është një element kyç për shtrirjen e masave të sigurimit në mënyrë që zgjedhjet të mund të zhvillohen.”

Presidenti George W. Bush thotë se veprimet e terroristëve bazohen në një “ideologji vrasëse.”

“Asnjë prej këtyre akteve nuk është vepër e një feje; që të gjitha janë vepër e një ideologjie fanatike e politike. Shërbëtorët e kësaj ideologjie synojnë të vendosin tiraninë në Lindjen e Mesme dhe matanë saj. Ata përpiqen të shtypin dhe të persekutojnë gratë. Ata përpiqen të vrasin hebrenjtë dhe të krishterët si dhe çdo mysliman, që dëshiron paqe në vend të terrorit teokratik.”

Presidenti Bush tha se që prej 11 shtatorit 2001, terroristët “e kanë parë që ne nuk e mohojmë më realitetin dhe as nuk përpiqemi t’i qetësojmë ata.”

//ze//

XS
SM
MD
LG