Lidhje

Powell: SHBA do të  përgatisin një rezolutë të re për Irakun - 2004-04-24


Zyrtarë të administratës së presidentit Bush nuk kanë qenë të saktë rreth përmbajtjes së rezolutës së Kombeve të Bashkuara. Por ata thanë se qëllimi i saj do të jetë forcimi i legjitimitetit të qeverisë së përkohshme në Irak, ndërkohë që krijohet një bazë politike për pjesëmarrjen e më shumë vendeve në operacionet paqëruajtëse.

Në një intervistë me televizionin hollandez dje, sekretari amerikan i shtetit Colin Powell tha se zyrtarët amerikanë po punojnë për hartimin e një projektrezolutë dhe dhe do ta paraqesin atë sapo sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, të miratojë planin e të dërguarit të tij të posaqëm Lakdar Brahimi, për një qeveri të përkohshme irakiane.

Qeveria e përkohshme do të marrë pushtetin me 1 korrik dhe do të udhëheq vendin deri ne zgjedhjet për asamblenë kombëtare që priten të mbahen në janar të vitit të ardhshëm. Kjo asamble pritet gjithashtu të hartojë kushtetutën e vendit dhe të krijojë kushtet për një qeveri të përhershme.

Intervista e zoti Powell dhënë televizionit hollandez ishte mes një seri intervistash që ai u dha dje mediave të vendeve anëtare të koalicionit në Irak, me synimin për të parandaluar largime të tjera nga koalicioni, pas vendimit të Spanjës, Hondurasit dhe Republikës Dominikane këtë javë për tërheqjen e trupave nga Iraku.

Sekretari Powell u tha gazetarëve si nga Hollnda ashtu edhe nga Salvadori se shpreson që këto vende do të mbajnë trupat e tyre edhe pas përfundimit të afatit të angazhimit të tyre më 30 qershor.

Ai gjithashtu i tha gazetës Salvadoriane "La Presse" se shpreson që të ketë kontribute edhe më të mëdha në trupa pas miratimit të një rezolute të OKB-së dhe pas transferimit të pushtetit një qeverie të përkohshme.

Departamenti i Shtetit ka insistuar që kjo qeveri e përkohshme të ketë pushtet të plotë në udhëheqjen e vendit, megjithë faktin se nuk do të ketë degën legjislative dhe se trupat amerikane do të kenë autoritetin final mbi trupat irakiane të sigurimit dhe atyre të koalicionit.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Richard Boucher tha se qeveria e përkohshme do të jetë plotësisht sovrane edhe pse ata do të duhet të punojnë sipas ligjit kalimtar të miratuar nga Këshilli i Përkohshëm Qeverisës i Irakut i emëruar në muajin mars nga koalicioni i udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara.

“Fakti është se përfaqësuesit në këtë qeveri të përkohshme do të jenë plotësisht sovranë. Ata do të kenë autoritet të plotë për të udhëhequr qeverinë e tyre, për të udhëhequr vendin e tyre. Pra ata do të kenë mundësinë të udhëheqin Irakun përkohësisht deri në mbajtjen e zgjedhjeve, në hartimin e një kushtetute deri në krijimin e një strukture të plotë qeverisëse,” tha zoti Boucher.

Në një dëshmi në kongresin amerikan të mërkurën, zyrtari i tretë më i lartë i departamentit të shtetit, nënsekretari për mardhënie politike, Marc Grossman, tha se qeveria e përkohshme do të ketë sovranitet të kufizuar vetëm sepse do të punojë sipas një ligji të përkohshëm dhe sipas rezolutës 1511 të Kombeve të Bashkuara të miratuar tetorin e kaluar.

Zoti Grossman tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk do të kenë nevojë të arrijnë një marrëveshje mbi forcat ushtarake me qeverinë e përkohshme irakiane për të vepruar pas 30 qershorit.

Kritikët e këtij vendimi kanë vënë në pyetje se çdo të ndodhte në rast të një konflikti mbi vijën politike midis qeverisë së përkohshme dhe komandantëve amerikanë në Irak, megjithëse zoti Boucher tha se ata do të punojnë së bashku në interes të sigurisë në Irak dhe se ideja e një konfrontimi të mundshëm është tepër e ekzagjeruar.//IB

XS
SM
MD
LG