Lidhje

Annan: emigrantët kanë nevojë për Evropën, por ajo ka nevojë për emigrantët - 2004-04-24


Në prag të zgjerimit të tij nga 15 në 25 vende anëtare, Bashkimi Evropian do të forcojë politikat e imigracionit nga frika e një vërshimi të pakontrolluar të punëtorëve emigrantë. Por ndërkohë që moshohet dhe tkurret forca punëtore, vendet e Evropës Perëndimore kanë nevojë për më shumë të huaj për të mbushur vendet e punës dhe tregu po gjen forma për ta arritur këtë, megjithëse jo në mënyrë të ligjshme.

Në qendër të Brukselit, Kanali Charleroi kalon nëpër lagje të tëra fabrikash dhe deposh të braktisura. Është ende ftohtë, por kjo nuk i pengon emigrantët ilegalë të vijnë këtu për të kërkuar punë. Me duar në xhepa dhe shpatulla të mbledhura, ata presin që ndonjë makinë të ndalojë dhe t’u ofrojë atyre një ditë punë. Në këtë qytet ka ukrainas, rusë, rumunë dhe afrikanë.

Për këta njerëz pa dokumenta ka pak mbështetje sociale. I vetmi punonjës social në këtë zonë është Yan Malebeek, i cili shqetësohet për emigrantët. “Është një skenë mjaft e rrezikshme sepse këta emigrantë nuk kanë asnjë ide se me çfarë njerzish udhëtojnë në makinë. Shoferi ndalon dhe bën me gishta se sa njerëz kërkon dhe këta emigrantë hypin në makinë.”- thotë ai.

I ashtuquajturi punëdhënës i shmanget mikrofonit të një gazetari, por Abdullahu, punëtor ilegal është gati të flasë rreth asaj që ka kaluar. “Një punëdhënës më mer në punë pa dokumente jo sepse jam më i mirë se dikush tjetër, jo sepse jam më kompetent, por sepse më paguan më pak, jam më i bindur dhe unë nuk kundërshtoj kurrë. Dhe kur të mos ketë më nevojë, punëdhënësi më flak në rrugë.”- thotë ai.

Ndërkohë që Bashkimi Evropian është në prag të zgjerimit, shumë vende anëtare kanë vendosur të kufizojnë fluksin e të huajve, megjithë mungesat e dukshme të krahut të punës. Por gjatë një vizite në Parlamentin Evropian në muajin janar, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, i bëri thirrje Evropës që të ndryshojë rregullat.

“Mezi pres të shikoj ditën kur Evropa do të mbështesë shumëllojshmërinë etnike brenda vendeve, ashtu siç ndodh me shumëllojshmërinë etnike midis vendeve. Emigrantët kanë nevojë për Evropën, por edhe Evropa ka nevojë për emigrantët. Një Evropë e mbyllur do të ishte më e padrejtë, më e varfër, më e dobët dhe më e vjetër, kurse një Evropë e hapur do të ishte më e drejtë, më e pasur, më e fuqishme dhe më e re, në se vendet evropiane e trajtojnë si duhet emigracionin.”- tha zoti Annan.

Megjithë duartrokitjet e vazhdueshme, Roger Helmer, anëtar konservator britanik i Parlamentit Evropian, i njohur si kundërshtar i emigracionit, thotë se është arrogancë nga ana e zotit Annan që t’u japë leksion evropianëve lidhur me emigracionin. “Ideja që ne të zvogëlojmë numrin e popullatës dhe ta zëvëndësojmë atë me njerëz nga kultura të ndryshme të huaja është diçka që mendoj se shumë njerëz nuk da pëlqenin,” thotë zoti Helmer.

Në Evropë, emigracioni mbetet një çështje përçarëse dhe emocionale. Por demografi dhe këshilltari i Këshillit Evropian, Jerry Koomans, thekson se Evropa ka nevojë për të huaj që të jetojnë dhe të punojnë në këtë kontinent. “Ne duhet të mësohemi të zgjidhim nevojat e shoqërisë, e cila po plaket. Ne nuk kemi fuqinë punëtore që kishim më parë. Ne kemi nevojë për më shumë punëtorë. Duhet të përshpejtojmë procesin e pranimit të këtij problemi kur bëhet fjalë për zhvillimin ekonomik. Le të shikojmë atë që po bëjnë Shtetet e Bashkuara në krahasim me ne. Emigracioni i lartë është pjesë e dinamizmit të tyre dhe po qe se ne bëjmë të njëjtën gjë imigracioni mund të bëhet pjesë e dinamizmit tonë.”- thotë Koomans

Por siç tregon tregu informal i punës në Canal de Charleroi të Brukselit, njerëzit janë në lëvizje, duke shkëmbyer pasigurinë ekonomike në vendin e tyre me një mundësi për jetë më të mirë diku gjetkë.// lk //

XS
SM
MD
LG