Lidhje

Debati i ditës: cili do të jetë raporti midis sigurisë dhe lirisë? - 2004-04-24


Që pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit ndaj Shteteve të Bashkuara, veprimtarët për të drejtat civile si të krahut të djathtë, ashtu edhe të majtët kanë shprehur shqetësim se liritë themelore në Amerikë mund të jenë në rrezik në kuadër të luftës kundër terrorizmit. Por, zyrtarë të rendit dhe shumë analistë argumentojnë se liritë civile mund të mbrohen vetëm nëse forcohen masat e sigurimit.

Konflikti ndërmjet lirive civile dhe sigurimit kombëtar është një dilemë e vjetër. Më shumë se 2000 vjet më parë, burri romak i shtetit, Ciceroni tha “Në kohë lufte, ligjet janë të heshtura.” Por faktikisht, si rregulli ashtu edhe liritë kanë rëndësi në një shoqëri. Por, a merr ndonjëra prej tyre përparësi në kohë lufte dhe kush e vendos këtë? Jeffrey Rosen, proferor i drejtësisë në Universitetin George Washington është autor i librit “Liria dhe Sigurimi në një Epokë të Trazuar.”

"Mendoj se të shtyrë nga frika, njerëzit mund të bëjnë zgjedhjen e gabuar, pra mund të heqin dorë nga liria, por nga ana tjetër nuk do të fitojnë siguri të mjaftueshme. Për shembull ligjet që kanë miratuar Amerika dhe Evropa pas sulmeve të 11 shtatorit, kanë rritur kompetencat e qeverisë për përgjim, jo vetëm për çështje që lidhen me terrorizmin por edhe për krime të vogla. Shpesh herë personat që kapen me këto metoda nuk janë terroristë, por njerëz që kanë shkelur afatin e vizës ose shkelje të tjera të vogla.:-thotë zoti Jeffrey.

Si rrjedhojë e trysnisë ndaj politikanëve për të marrë masa parandaluese ndaj terrorizmit, profesori Rosen thotë se ligjet që synojnë të forcojnë sigurinë kombëtare, mund të kërcënojnë liritë e individit. Për shembull në Britani, kamerat që u vunë për të kapur veprimtari të dyshimta, tani po përdoren për të vënë gjoba për shkelje të rregullores së trafikut.

Në periudha të ndryshme të historisë, Shtetet e Bashkuara kanë marrë masa që kërcënonin liritë e individit për të forcuar sigurimin. Shumë analistë sjellin si shembull arrestimin e një numër anarkistësh dhe komunistësh gjatë Luftës së Parë Botërore, ndërkohë që një numër imigrantësh u dëbuan për shprehjen e pikëpamjeve të tyre. Ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore, pak kohë pas bombardimit të Gjirit të Perlave, 110 mijë japonezë dhe japonezo-amerikanë u futën në qendra izolimi në mbarë vendin. Douglas Kamik është profesor i të drejtës kushtetuese në Universitetin Pepperdine në Kaliforni:

"20 vjet më pas, izolimi i japonezëve në Shtetet e Bashkuara u kritikua si masë tepër e ashpër, pasi nuk bëhej fjalë vetëm për ndalim-qarkullim apo kufizime në zona të caktuara, por për izolimin e këtyre njerëzve që ishin besnikë ndaj Shteteve të Bashkuara. Aktualisht masat që po merren nuk afrohen gjëkundi me masat e atëhershme. Janë ndaluar ata persona që kanë shkelur ligjet e imigracionit ose kanë ndihmuar organizata terroriste."-thotë Kamik.

Analistët pohojnë se gjendja e lirive të individit është përmirësuar me kalimin e viteve në Shtetet e Bashkuara. Ata shtojnë se është e rëndësishme të ruhet baraspesha ndërmjet këtyre lirive dhe masave të reja që po miratohen për forcimin e sigurimit. Siç shprehet profesori Rosen, kjo baraspeshë ve në dukje pikat e forta dhe të dobëta të sistemit kushtetues në Shtetet e Bashkuara:

"Shpresoj se njerëzit në mbarë botën do të vlerësojnë se si ka ndikuar kjo barazpeshë në ruajtjen e lirive tona, duke bllokuar disa propozime ekstreme. Kjo bën të mundur një farë kontrolli mbi degën ekzekutive të pushtetit dhe u jep mundësi degës legjislative dhe gjyqësorit t’i shqyrtojnë me qetësi propozimet."-thotë profesori.

Analistët thonë se publiku duhet të ngrejë pyetjen nëse një masë që kufizon deri diku liritë civile është e justifikueshme duke pasur parasysh krimin që përpiqet të parandalojë, apo mund të gjenden masa të tjera jo aq kufizuese.

Shumë analistë pohojnë se një ndër funksionet themelore të qeverisë është të ruajë rendin në përputhje me ligjin, në mënyrë që të përfitojmë më së miri nga liritë tona. Përmbushja e këtij synimi i bën liritë dhe rendin aleate, të cilat nuk mund të ekzistojnë pa njëra-tjetrën.// lk //

XS
SM
MD
LG