Lidhje

FMN në Tiranë po studion ekonominë pas shitjes së Bankës së Kursimeve - 2004-04-25


Një mision i posacëm i Fondi Monetar Nndërkombëtar po mbyll në Tiranë një vizitë dyjavore për të parë nga afër rezultatet e reja të privatizimeve bankare dhe zhvillimet e ekonomisë shqiptare në gjashtë muajt e fundit.

Takimet me zyrtarët shqiptarë kanë në qendër të diskutimeve zhvillimet kryesore makroekonomike, politikës monetare, të rejave në sistemin bankar, kursin e këmbimit dhe sistemin e pagesave.

Misioni që drejtohet nga shefi i ri Julio Escolana është duke biseduar me drejtuesit e ekonomisë shqiptare mbi rishikimin e buxhetit të shtetit shqiptar, që u bë i nevojshëm pas privatizimit të Bankës së Kursimeve. Burime të besueshme pranë zyrave të FMN në Tiranë pohuan se Misioni po kryen rishikimin e katërt të Programit me Shqipërinë për Zbutjen e Varfërisë dhe Rritjen Ekonomike.

Ekspertët e FMN po bisedojnë me drejtuesit e ekonomisë dhe financave shqiptare për mënyrën se si do të përdoren paratë e fituara nga privatizimi i BK, e cila pas blerjes me ankand ndërkombëtar, tani ka shkuar në duart e bankës austriake “Reifeissen”.

Janë rreth 126 milion USD fondet e siguruara nga ky privatizim, të cilat nuk ishin parashikuar në buxhetin që Parlamenti shqiptar miratoi në muajin dhjetor. Ndaj tani lindi nevoja që në buxhet të programohen sektorët dhe detajet ku këto para do të investohen.

Privatizimi i BK u shty dhe dështoi disa herë në dy vitet e fundit, ndaj dhe zyrtarët hartonin edhe variante rezervë të përdorimit të fondeve.

Shqipëria dhe FMN kishin rënë dakord parimisht 6 muaj më parë, që gjysmat e parave që pritej të fitoheshin nga shitja e BK të përdoreshin për shlyerjen e borxhit të jashtëm, ndërsa gjysma tjetër të investohej në sektorët me më shumë nevoja dhe përparësi si shëndetësia, arsimi dhe infrastruktura.

Pikërisht kjo marrëveshje që atëherë ishte parimore tani është duke u shqyrtuar në detaje teknike nga ekspertët shqiptarë dhe ata të Misionit.

Jo zyrtarisht mësohet se ekspertët e FMN po i shohin me optimizëm përmirësimin e situatës energjitike dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë, por përsëri kanë shprehur shqetësim për mosrealizimin e të ardhurave në buxhet nga taksat dhe tatimet. Përfundimet e punës në Shqipëri Misioni do t’i publikojë gjatë një konference në fillim të javës.

Privatizimi i BK ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme të ekonomisë dhe sistemit bankar shqiptar. Ajo është banka më e madhe e vendit, e vetmja që ka degë në të gjithë qytetet, dhe që kontrollonte më shumë se gjysmën e tregut bankar në Shqipëri, madje për jo pak elemente ajo diskutohej edhe për pozitat monopolistike dhe fuqinë e madhe financiare.

BK nuk jepte kredi prej 6 vjetësh pas traumës që sollën shembja e skemave piramidale. Shitja e saj vlerësohet edhe si një zgjerimin i mundësive që Shqipëria të ketë më shumë investime të huaja dhe më shumë kredi për zhvillimin e ekonomisë vendase.//ii

XS
SM
MD
LG