Lidhje

Astronomët dallojnë planetet e reja me një xham zmadhues kozmik natyror - 2004-04-25


Një ekip ndërkombëtar astronomësh zbuloi një planet tjetër shumë larg sistemit diellor, por astronomët përdorën një mënyrë të ndryshme nga ajo që ishte përdorur më parë për të gjetur planete. Bëhet fjalë për një xham zmadhues kozmik natyror.

Teleskopët ende nuk janë aq të fuqishëm sa të shohin planetet që rrotullohen rreth yjeve të largët, kështu që astronomët duhet ta marrin me mend praninë e tyre. Ata e kanë bërë një gjë të tillë duke vënë re një luhatje në lëvizjen e yllit, në fakt shumë e lehtë dhe thuajse e pakapshme, çka do të thoshte se graviteti i planetit po e tërhiqte atë. Kjo teknikë çoi në zbulimin e 120 planeteve në sisteme të largëta diellore që nga viti 1995.

Tani, dy ekipe ndërkombëtare që po punojnë së bashku e kanë gjetur planetin e 121-të me një metodë tjetër, që përdor një dukuri natyrore në të cilën një yll kalimtar vepron si lente për të zmadhuar dritën nga një yll që gjendet prapa tij. Shefi i kërkimeve planetare në NASA, Charles Beichman thotë: “Nëse i rreshtojmë dy yje pikërisht njëri pas tjetrit, njëri prej tyre e përthyen dritën nga një yll i largët dhe funksionon si një xham zmadhues kozmik. Në këto kushte, ylli i largët duket më i ndritshëm”.

Por nëse ylli kalimtar shoqërohet nga një planet, ylli i i largët pas tij shkëlqen dy herë më shumë. Kjo ndodh sepse graviteti i vetë planetit kontribuon në këtë efekt.

Fizikani gjerman Albert Einstein e parashikoi këtë dukuri në Teorinë e Relativitetit. Para 13 vjetësh astronomi polak Bohdan Paczynski i Univesitetit Princeton në New Jersey propozoi përdorimin e kësaj metode për të dalluar planetet jashtë sistemit tonë diellor. Tani, një organizatë astronomësh anëtar i së cilës është zoti Paczynsky e ka përdorur këtë teknikë për të vëzhguar një sistem yjesh dhe planetesh 17 mijë vite drite larg.

Planeti i zbuluar së fundmi ndodhet në yjësinë Shigjetari. Shkencëtarët përcaktuan se masa e tij është më pak se gjysma e një përqindshit të yllit që e shoqëron. Ata ishin thuajse të sigurt që duhet të bëhej fjalë për një planet.

Megjithëse të gjitha planetet e gjetura jashtë sistemit diellor kanë qenë pothuajse në masën e Jupiterit, Charles Beichman i NASA-s shpreson se me instrumenta të përmirësuara, mund të zbulohen edhe trupa që kanë përmasa të ngjashme me tokën.

“Ne po përpiqemi të gjejmë planete si i yni përreth yjeve të tjera. Sa herë që zbulojmë një teknikë të re për ta bërë këtë, ky është një hap tjetër drejt zbulimit se sa planete si toka ka në univers, sa shanse ka për të gjetur një planet tamam si toka në një zonë përreth një ylli aty pranë dhe ndoshta për të gjetur në të ardhmen prova të vetë jetës në një planet të tillë”.

Për të përshpejtuar kërkimin e planeteve, dy ekipet ndërkombëtare do të përdorin së shpejti një teleskop më të madh se ai në Kili që po përdoret aktualisht dhe një kamera më të fuqishme për të fotografuar qiellin.

Ndërkohë, një grup astronomësh ka filluar të përdorë një teleskop të ri në ishujt Kanarie me një rreze të gjerë shikimi dhe një ndjeshmëri të lartë ndaj ndryshimeve të dritës. Puna e tij do të jetë të kërkojë yje që veniten për një kohë të shkurtër sipas teorisë se një planet që i kalon para, bllokon një pjesë të dritës së tij.//kk//

XS
SM
MD
LG