Lidhje

SHBA: rrjeti satelitor C-Span - një zë i veçantë në median amerikane - 2004-04-26


Ky vit shënon 25 vjetorin e rrjetit satelitor C-Span. Ky rrjet mbulon pa ndërprerje nga reklamat, ngjarjet politike në Washington dhe në botë, duke u përqëndruar në punimet e Kongresit. Megjithëse themeluesi i këtij rrjeti, Brian Lamb, vazhdon të jetë i angazhuar në emisionet e lajmeve të rrjetit, një herë në javë ai drejton një program me intervista të titulluar “Booknotes.” Gjatë 15 viteve të fundit, zoti Lamb ka intervistuar afro 800 autorë librash qoftë të letërsisë artistike apo të zhanrave të tjera. Kohët e fundit ai botoi një libër me përbledhje të këtyre intervistave.

Libri i titulluar “Shënime mbi karakterin amerikan” fillon me dy shkrimtarë politikë nga dy skajet e spektrit: konservatoren Ann Coulter dhe liberalin Michael Moore. Ai thotë se i zgjodhi këta dy autorë për të treguar se debati dhe mospërputhja e ideve janë zanafilla e këtij vendi:

”Michael Moore dhe Ann Coulter nuk pasqyrojnë një segment tipik të emisionit Booknotes. Por unë i zgjodha ata, pasi kohët e fundit kemi dëgjuar shumë njerëz të thonë se duhet të bashkohemi si komb, se politika është shumë e përçarë dhe se po kalojmë një periudhë të pazakontë në histori. Libri në fakt tregon se kjo nuk është e pazakontë dhe se vendi ynë u themelua nga larmia dhe nga mospëputhja me një vend tjetër, pikërisht Anglinë. Gjatë gjithë historisë politika ka qenë e përçarë.

Autori shpjegon se në intervistat e ndryshme që ka zhvilluar është njohur me individë shumë interesantë:

”Veçoj historinë e William Minor, personazh i librit të Simon Winchesterit. Zoti Minor ishte me profesion mjek, por për vite të tëra u angazhua në përkufizimin e fjalëve për fjalorin Oksford të gjuhës angleze. Libri im është përqëndruar më së shumti në personazhet e librave të diskutuar.”

Zoti Lamb thotë se kriteri që përdor për zgjedhjen e librave që diskutohen në emisionin e tij është së pari nëse ai vetë mëson diçka të re nga libri.

”Më pas pyes veten nëse historia është interesante. Pastaj shoh kush është autori, nëse ai ose ajo është një individ interesant. Së fundi synimi është të ndihmosh njerëzit të kuptojnë se si funksionon bota, politika amerikane, dhe duhet të dish të jesh i balancuar.”

Zoti Lamb shpjegon se emisioni i tij televiziv filloi si një kundërpeshë për emisionet e tjera televizive, ku autorit nuk i jepen më shumë se 5 minuta kohë për të diskutuar librin, pasi pjesa tjetër e kohës mbushet me reklama. Por emisioni i zotit Lamb i jep autorit 1 orë kohë për t’i paraqitur publikut një prezantim sa më të mirë për librin.

Por programi ka edhe vështirësitë e veta:

”Unë i lexoj vetë të gjithë librat dhe për këtë më duhen afro 20 orë në javë. Ndoshta nga 15 vitet e fundit, 2 prej tyre i kam kaluar duke lexuar libra, por gjithsesi ende është një përvojë e këndshme. Një tjetër problem është se shumë nga autorët vijnë në emisionin tonë pasi kanë dhënë ndoshta 15 intervista për emisione të tjera dhe janë velur duke folur për librin. Prandaj duhet që intervista të jetë sa më spontane dhe pyetjet të jenë sa më origjinale.”

Autori i emisionit Booknotes thotë se është vështirë të intervistosh gazetarë, pasi ata flasin gjithmonë brenda kornizave të caktuara për të mos hyrë në probleme. Ndërsa autorët e librave, thotë zoti Lamb, janë më të çlirët dhe për rrjedhojë edhe më interesantë.//ii

XS
SM
MD
LG