Lidhje

Shoqatat joqeveritare në Prishtinë dhe Beograd  mendojnë se dialogu është ende i mundshëm - 2004-04-27


Ngjarjet e dhunshme të muajit të kaluar në Kosovë, dëmtuan rëndë shpresat për vendosjen e dialogut mes shqiptarëve dhe serbëve. Por disa përfaqësues të shoqatave joqeveritare në rajon, përfshirë organizata në Prishtinë dhe Beograd mendojnë se shanset për dialog nuk kanë dështuar. Fondacioni amerikan Freedom House organizoi të martën një takim me përfaqësues të shoqërisë civile të Evropës Juglindore.

Megjithëse dialogu në nivel institucional mes Kosovës dhe Serbisë, duket se nuk ekziston, marrëdhëniet mes shoqatave joqeveritare nga të dyja palët ka vazhduar. Besnik Tahiri, bashkërendues programi për shoqatën Nënë Tereza në Prishtinë, tha se dialogum mes shqiptarëve dhe serbëve është ende i mundur.

“Ngjarjet e Marsit e kanë dëmtuar mjaft dialogun dhe marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë, por mendoj që dialogu është i mundshëm, është e vetmja alternativë për Kosovën që të shkojë përpara. Këtu shoqëria civile mund të japë një kontribut mjaft të madh, duke e lehtësuar dialogun joformal, ndërsa qeveria jonë, institucionet tona janë deklaruar për dialogun formal. Është me rëndësi që të krijohen kushtet, të shkëmbehen eksperiencat në rajon. Mendoj se përmes këmbimit të përvojave në rajon, Kosova mund të ketë një qasje më të mirë dhe më produktive në dialog dhe në ndërtimin e besimit mes komuniteteve”, tha zoti Tahiri.

Edhe Zivorad Kovacevic, President i organizatës Lëvizja Evropiane me qendër në Beograd është optimist.

“Sigurisht që dialogu është i mundur. Të mërkurën ne kishim një takim në Prishtinë, ku morën pjesë organizata joqeveritare shqiptare dhe serbe. Pyetja pas ngjarjeve të marsit, ishte a mund ta vazhdojmë dialogun dhe përgjigjia ishte po. Ishte diçka pozitive. Ne e shohim një gjë të tillë si sfidë dhe si një provë e sinqeritetit tonë për të vazhduar dialogun. Dhe dialogu në shoqërinë civile, po përgatitit gjithashtu terrenin për forma të tjera dialogu, atë zyrtar që praktikisht nuk ekziston. Shoqëria civile është gati për të vazhduar dialogun. Ne kemi tre grupe studimi: për rininë, mediat dhe gratë që kanë patur shumë takime si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi”, tha zoti Kovacevic.

Gjatë takimit, zoti Kovacevic tha se organizatat joqeveritare kanë qenë të vetmet zëra të tolerancës në rajon gjatë viteve të konfliktit dhe theksoi se ato i kanë ruajtur marrëdhëniet edhe para se të vendosej demokracia në vendet e rajonit.

Ai theksoi se tani të gjitha vendet e Evropës Juglindore, kanë si synim të përbashkët integrimin në Bashkimin Evropian dhe kjo është një arsye e rëndërishme për bashkëpunim.

Një nga faktorët që po ndikojnë në vendosjen e dialogut është nisma Ingman, e krijuar në vitin 1995 nga një grup intelektualësh që kundërshtonin luftën dhe që e ka marrë emrin nga mali Ingman, që ata përshkuan për të kaluar nga Hungaria dhe Kroacia për Sarajevë, mes zjarrit të artilerisë së serbëve të Bosnjes. Ishte një solidaritet me popullin e Sarajevës dhe një shprehje e kundërshtimit ndaj luftës.

Kjo nismë numëron aktualisht 140 shoqata joqeveritare dhe parimet e saj po zbatohen në projektin Dialogu Civil për rivendosjen e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes sektorëve civilë të Kosovës dhe Serbisë.

Zoti Kovacevic tha se mes planeve të kësaj nisme janë krijimi i një mini-Shengeni për vendet e rajonit, zonat e tregëtisë së lirë dhe një marrëveshje për tolerancë ndëretnike.

Zoti Tahiri, i shoqatës Nënë Tereza, tha se megjithëse Shtetet e Bashkuara nuk janë më aq shumë të përqendruara tek Ballkani dhe Kosova, ky rajon nuk duhet të lihet jashtë vëmendjes, sepse siç u shpreh ai nëse nuk ka qëndrueshmëri në Kosovë, nuk do të ketë qëndrueshmëri në gjithë rajonin. Ai theksoi se Kosova nuk duhet të mbetet një vrimë e zezë.

Duke patur parasysh marrëdhëniet e mira mes shoqatave joqeveritare, ai tha se dialogu ndëretnik u dëmtua, por nuk dështoi me ngjarjet e marsit. Ai tha se nëse nuk ka respekt ndëretnik, çdo lloj zgjidhjeje për të ardhmen e Kosovës do të dështonte.Një tjetër pjesëmarrës, Aleksandër Popov drejtor i Qendrës për Marrëdhënie Rajonale në Novi Sad, vuri në dukje se 57 organizata joqeveritare në Kosovë shprehën indinjatën për dhunën dhe e dënuan atë. Ata shkuan në një fshat me shumicë serbe ku u shprehën banorëve keqardhjen, gjë që siç tha zoti Popov u vlerësua shumë nga banorët. Ai përmendi veçanërisht shoqatën Nënë Tereza, për reagimin e saj të shpejtë.

Siç shihet nga shembulli që solli zoti Popov dhe siç u la të kuptohej nga folësit e tjerë, nëse institucionet qeveritare si në Beograd edhe Prishtinë do të ndiqnin shembullin e shoqatave joqeveritare serbe dhe shqiptare, dialogu ndoshta do të ishte një realitet më i afërt. //kk//

XS
SM
MD
LG