Lidhje

Freedom House: Ballkani ende përballet me dobësinë e shtetit ligjor dhe me korrupsionin - 2004-04-28


Në një raport të ditëve të fundit, një organizatë me qendër në Washington arrin në përfundimin se vendet e Ballkanit, ende përballen me një sërë sfidash thelbësore dhe pengesa, veçanërisht dobësia e shtetit ligjor dhe korrupsioni në shkallë të gjerë.

Fondacioni Freedom House vë në dukje në raportin e quajtur “Vendet në tranzicion 2004” se përparimi i vendeve të Ballkanit ka qenë i ngadaltë dhe jo gjithkund njëlloj. Studimi mbulon periudhën nga janari deri në dhjetor të vitit 2003. Në raport thuhet se megjithëse demokracia dhe shteti ligjor po bëjnë përparim të ngadaltë por të qëndrueshëm në Ballkan, problemet mbeten.

Lidhur me Shqipërinë, në raport thuhet se megjithëse kishte shpresa se zgjedhjet vendore të tetorit do të shënonin fillimin e traditës për procese zgjedhore të lira dhe të ndershme, ato u dëmtuan rëndë nga parregullsitë e shumta me listat e votuesve në qytetet më të mëdha.

Sipas raportit, efekti destabilizues shkaktuar nga zgjedhjet u bë edhe më më i madh nga vakuumi i krijuar nga mungesa e dy ministrave në qeveri për një kohë të gjatë Aty përmendet se kriza u shkaktua nga lufta për pushtet mes Kryeministrit Fatos Nano dhe ish-kryeministrit Ilir Meta. Një gjë e tillë thuhet në raport, reformat u frenuan dhe u rrezikuan negociatat për marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me Bashkimin Evropian.

Në raport thuhet se në fillim të vitit të kaluar qeverisja ishte e qëndrueshme, por theksohet se ashtu si edhe në të kaluarën konfliktet politike paralizoi administratën publike dhe ngadalësoi reformat. Parlamenti nuk i kreu në mënyrë efektive rolet e veta, atë legjislativ dhe atë mbikqyrës dhe opozita nuk kishte shumë hapësirë për funksionim.

Shoqëria civile shfaqi përmirësim në vitin 2003 në aftësinë për të rritur ndërgjegjësimin për çështje të rëndësishme.

Lidhur me gjendjen e medias, në raport thuhet se fushata zgjedhore u mbulua në mënyrë balancuar dhe kjo e përmirësoi gjendjen e shtyoit, por theksohet se pas zgjedhjeve shtypi favorizoi Partinë Socialiste. Media shqiptare thuhet në raport vazhdoi të funksionojë si oligarki, vitin e kaluar në duart e një numri të kufizuar njerëzish, kryesisht biznesmenë që e përdorin shtypin për të nxitur interesat e bizneseve dhe ambicieve të tyre politike. Kjo gjendje u keqësua nga ndërhyrja e qeverisë gjë që dëmtoi tregun e mediave.

Përsa i takon korrupsionit gjendja u keqësua në Shqipëri. Në raport thuhet se korrupsioni në nivele të ulëta ishte shumë i përhapur dhe sipas anketave më shumë shërbimet shëndetësore, dogana dhe drejtësi. Korrupsioni në administratë dhe krimi i organizuar rezulton në rritje. Megjithëse Shqipëria shënoi një farë përparimi në luftën ndaj trafikut të qenieve njerëzore, në raport thuhet se pak përparim u bë në përgjithësi në luftën kundër krimit të organizuar dhe lidhjeve me zyrtarët publikë. Për shkak të depërtimit të korrupsionin në administratë, thuhet në raport, gjendja është përkeqësuar në këtë drejtim.

Meqenëse raporti nuk i mbulon ngjarjet e këtij viti, aty nuk përmenden trazirat e marsit, por thuhet se që nga viti 1999, në Kosovë është krijuar një qeveri, sistemi bankar, policia vendore, sistemi gjyqësor dhe institucione të tjera të shoqërive demokratike. Megjithatë mbeten shumë sfida të mëdha, si të drejtat e njeriut dhe pakicave, mbrojtjej e serbëve dhe kthimin e të shpërngulurve, zgjidhja e çështjes së pronave, privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe eliminimi i dhunës. Në raport thuhet se dukuri të tilla mbeten pengesë për zgjidhjen e statusit përfundimtar.

XS
SM
MD
LG