Lidhje

Tërheqje e trupave amerikane nga Falluxha - 2004-04-28


Autoritetet ushtarake amerikanë në Irak po negociojnë me ish gjeneralë të ushtrisë së Sadam Huseinit për t’i dhënë fund rrethimit të Falluxhas.

Sipas një plani, marinsat do të tërhiqen nga pozicionet në Falluxha dhe katër ish gjeneralë të ushtrisë së Sadam Huseinit me 1 mijë e 100 trupa irakiane do të hyjnë në qytet për të marrë nën kontroll sigurinë.

Një komandant i marinsave jashtë qytetit tha se tërheqja amerikane do të fillojë sot. Por Pentagoni tha se bisedimet po vazhdojnë dhe nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare.

Falluxha, qytet i kontrolluar nga myslimanët suni, ndodhet në perëndim të Bagdadit dhe ka qënë qendër e dhunës kundër forcave të koalicionit. Autoritetet amerikane kanë thënë se shumë kryengritës në Falluxha mendohet të kenë shërbyer nën regjimin e Sadam Huseinit.

Ushtarët amerikanë filluan përpjekjet për shfarrosjen e kryengritësve në Falluxha pak pas vrasjes brutale të 4 civilëve amerikanë në atë qytet më 31 mars. Luftimet në qytet janë shtuar gjatë ditëve të fundit.

Po në Irak, 10 ushtarë amerikanë u vranë në sulmet e djeshme, 8 nga të cilët nga një shpërthim me makinë bombë në jug të Bagdatit. Dy të tjerë u vranë në sulme mbi trupat amerikane në Bagdad dhe Bakuba. Një civil nga Afrika e Jugut u vra gjithashtu në jug të qytetit Basra.

Të paktën 120 ushtarë janë vrarë në veprim në Irak gjatë muajit prill, më shumë se numri i të vrarëve në veprim gjatë ndërhyrjes ushtarake, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, në atë vend vitin e kaluar.

//ze//

XS
SM
MD
LG