Lidhje

Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe fjalës - 2004-04-29


Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe fjalës. Këto vlera Amerika i mbështet në mbarë botën dhe veçanërisht në Lindjen e Mesme. Por disa stacione radio-televizive në rajon po përhapin njoftime të pasakta, falso dhe çorientuese.

Njoftimet acaruese duket se kanë vulën e al-Xhazirës, e cila transmeton nga Katari. Më 9 prill, Al-Xhazira u tha shikuesve të saj se forcat amerikane në Irak kanë përdorur bomba thërmuese në Falluxhah dhe Naxhaf, dhe se fëmijët do të “copëtoheshin” nga forcat amerikane që po përpiqeshin të ruanin sigurinë. Ky njoftim ishte plotësisht i rremë.

Al-Xhazira ka njoftuar gjithashtu se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka sulmuar xhami në vende ku nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Ky stacion televiziv është përdorur si tribunë për terroristët, të cilët bëjnë thirje për sulme kundër Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera. Gjithashtu al-Xhazira tregon shpesh pengje të kapur nga terroristët.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Richard Boucher tha se Shtetet e Bashkuara “janë shumë të shqetësuar për transmetimet e al-Xhazirës.”

"Dhe kjo sepse herë pas here ndeshim njoftime të pasakta, të rreme dhe të gabuara, të cilat ne mendojmë se kanë për synim të acarojnë gjendjen, ta tensionojnë më tepër jetën dhe ta bëjnë edhe më të rrezikshme situatën për amerikanët, irakianët, arabët dhe njerëzit e tjerë të përfshirë, veçanërisht në Irak."

Zoti Boucher tha se “al-Xhzira ka treguar një prirje të përsëritur të raportimit të informacionit falso.”

"Ka një kufi ku kalohet nga raportimi i ngjarjeve që po ndodhin në raportimin me qëllim që të shkaktosh panik. Unë mendoj se të gjitha agjencitë profesioniste të lajmeve e pranojnë këtë kufi si një përgjegjësi e secilës prej tyre dhe si detyrë e tyre për të treguar përgjegjshmëri. Kemi ndeshur një numër rastesh kur al-Xhazira nuk e ka bërë këtë."

Stacionet radio-televizive, përfshirë al-Xhazirën, kanë përgjegjësinë të transmetojnë informacion të saktë dhe të vërtetuar.

//ze//

XS
SM
MD
LG