Lidhje

Hendeku në komunikimin midis CIA-s dhe FBI-së - 2004-04-29


11 shtatori 2001 nxorri në paj një dështim të thellë të zbulimit amerikan. Që pas sulmeve shumë vëzhgues kanë shtruar pyetjen se pse agjencitë e zbulimit amerikan nuk ishin në gjendje t’i ndalonin terroristët. Seancat për 11 shtatorin kanë lënë të kuptohet se ka patur një hendek në komunikimin mes FBI-së dhe CIA-s.

Sulmet e 11 shtatorit treguan se Shtetet e Bashkuara ishin të ekspozuara ndaj sulmeve terroriste në territorin e tyre. Komisioni dypartiak është marrë me hetimin e arsyeve të dështimit për parandalimin e sulmeve. Pjesa më e madhe e fajit deri tani bie mbi CIA-n dhe FBI-në.

“Para 11 shtatorit agjencitë e rendit, zbulimi dhe zyrtarët e sigurisë kombëtare nuk arritën të këmbejnë informacion kritik me njëri-tjetrin, për shkak të kufizimeve ligjore dhe burokratike”.

Sipas aktit për Sigurinë Kombëtare të vitit 1947, CIA është përgjegjëse për zbulimin e huaj, ndërsa FBI-ja për respektimin e ligjit dhe zbulimin e brendshëm. Ish-analisti i CIA-s Richard Russell thotë se presidenti Truman e krijoi këtë ndarje sepse nuk donte një agjenci të brendshme agjentësh.

Pas 11 shtatorit, Akti Patriotrik ka bërë të mundur që dy agjencitë të këmbejnë informacion më lehtësisht.

“Tani ka më shumë oficerë të FBI-së që shërbejnë në CIA dhe më shumë oficerë të CIA-s që shërbejnë në FBI. Kështuqë ka më shumë bashkëpunim mes personelit dhe oficerëve, si në nivelet më të larta, ashtu edhe në bazë”.

Lee Strickland, ish-oficer i lartë në CIA thotë se Akti Patriotik ishte një hap i parë pozitiv, por ai shton se ka probleme shumë më të mëdha, që nuk parashikohen në ligj.

“Kemi të bëjmë me dy kultura të ndryshme dhe dy drejtime të ndryshme. Dhe kurrë nuk ka patur ndonjë partneritet të fortë mes dy organizatave”.

Kate Martin, drejtore e Qendrës për Studimet për Sigurinë Kombëtare në Washington ka të njëjtin mendim.

“Prej shumë vjetësh, gjithkush në Washington e di që CIA dhe FBI-ja nuk janë shumë të gatshëm të shkëmbejnë informacion dhe disa herë nuk e bëjnë fare një gjë të tillë”.

Drejtori i CIA-s George Tenet tha para komisionit të 11 shtatorit se CIA-s i duhet më shumë për të rigjallëruar komunitetin e zbulimit.

“Do të duhen edhe pesë vjet punë për të patur shërbimin e zbulimit që i duhet vendit”.

Thomas Kean dhe anëtarë të tjerë të komisionit të 11 shtatorit kanë dhënë mendimin se duhet një agjenci e re e brendshme zbulimi sipas modelit britanik MI-5 dhe ndoshta një drejtor i ri i të gjithë zbulimit amerikan. Drejtori i FBI-së Robert Mueller thotë se krijimi i një agjencie të veçantë për të mbledhur informacion zbulimi në Shtetet e Bashkuara, do të ishte një gabim i madh.

“Ndarja e funksioneve të ruajtjes së rendit nga ato të zbulimit do të ishte njëlloj sikur t’i lije të dyja agjencitë të luftonin terrorizmin me një dorë të lidhur”.

Por Lee Strickland thotë se FBI-ja ka të meta nprocesin e kërkimeve dhe analizës. Një studim i brendshëm i FBI-së në vitin 2000 e vuri në pah problemin.

“66 për qind e analistëve tek FBI-ja nuk ishin të kualifikuar për të bërë punën. Dhe kjo gjendje nuk është përmirësuar”.

Kate Martin thotë se mund të jenë të nevojshme ndryshime drastike.

“Një nga problemet mund të jetë që FBI-ja si institucion është aq me të meta saqë nuk mund të rregullohet dhe nëse është kështu ne duhet t’ia heqim përgjegjësitë e kundërterrorizmit brenda Shteteve të Bashkuara FBI-së dhe t’ia japim ndonjë agjencie tjetër dhe se ndoshta duhet të kemi një agjenci të re”.

Por Richard Russell thotë se krijimi i një agjencie të re nuk është përgjigjia, sepse vetëm do të sjellë më shumë burokraci. Ai sugjeron reformimin agresiv të FBI-në dhe CIA-n.

Megjithatë anëtarëve të komisionit John Lehman dhe Timothy Roemer mund të jetë duke u humbur durimi me CIA-n dhe FBI-në.

“Të gjithë kokat e CIA-s nuk mundën të parandalonin atë që ndodhi. Tani do të ndodhin ndryshime të mëdha”.

“Me kaq pak besim tek FBI-ja dhe me kaq shumë gjëra që rrezikohen për sigurinë e vendit, pse duhet t’i japim FBI-së një shans tjetër?

Raporti përfundimtar i komisionit të 11 shtatorit do të dalë në fund të korrikut. Megjithatë që tani janë shfaqur shenja se do të ketë ndryshime në komunitetin amerikan të zbulimit.

XS
SM
MD
LG