Lidhje

Presidenti Bush dhe nënpresidenti Dick Cheney dëshmojnë para Komisionit - 2004-04-29


Presidenti Bush dhe nën-presidenti Dick Cheney u takuan dje privatisht me 10 anëtarët e komisionit, që po heton sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.

Komisioni dëshiron të dijë se çfarë dinte Shtëpia e Bardhë para sulmeve kundër Shteteve të Bashkuara dhe si iu përgjigj ajo kërcënimit terrorist.

Presidenti tha se iu përgjigj çdo pyetjeje të anëtarëve të komisionit.

“Ishte një bisedë shumë e përzemërt. Më lanë përshtypje me pyetjet që më bënë.”

Seanca, e cila u zhvillua në Zyrën Ovale të presidentit, zgjati më shumë se 3 orë. Zoti Bush e përshkroi takimin si të rëndësishëm dhe me një gamë të gjerë çështjesh, madje zoti Bush la të kuptohet se toni ishte ndër-partiak.

“Mendoj se kjo seancë i ndihmoi anëtarët e komisionit që të kuptojnë se si punoj unë, si e drejtoj Shtëpinë e Bardhë dhe si veprojnë në rast kërcënimesh.”

Presidenti tha se nuk do të diskutojë rreth substancës së pyetjeve, megjithëse ai tha se pati shumë interes mbi mënyrat se si të mbrohet më mirë Amerika. Presidenti shtoi se anëtarët e komisionit do të përdorin gjithçka që mësuan për ta përfshirë në raportin e tyre përfundimtar.

“Ata ishin shumë të interesuar në rekomandimet që do të japin ashtu siç jam edhe unë i interesuar.”

Takimi privat u zhvillua në bazë të rregullave të caktuara nga Shtëpia e Bardhë dhe të pranuara nga komisioni i pavarur. Presidenti dhe nën-presidenti ishin bashkë në këtë seancë dhe ata nuk dëshmuan si dëshmitarët e tjerë duke u betuar para komisionit. Takimi nuk u regjistrua dhe nuk u mbajt transkripti i tij, me përjashtim të disa shënimeve të mbajtura nga personeli i Shtëpisë së Bardhë dhe komisionit.

Presidenti Bush u takua me gazetarët në kopshtin e trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë rreth gjysëm ore pas largimit të anëtarëve të komisionit. Presidenti tha se formati i takimit funksionoi si duhet. Ai shtoi se edhe nën-presidenti Cheney iu përgjigj çdo pyetjeje që iu bë.

“Mendoj se ishte e rëndësishme për anëtarët e komisionit që të shikonin reagimin tonë personal dhe se si ne të dy punojmë së bashku. Anëtarët e komisionit do të shprehin mendimet e tyre me kalimin e kohës. Ata do t’u thonë juve në se ne zhvilluan një diskutim të frutshëm. Mendoj se ata janë të këtij mendimi, pra mendoj se takimi ishte i dobishëm.”

Në një deklaratë të lëshuar nga komisioni pas takimit, anëtarët e tij thanë se presidenti dhe nën-presidenti ishin të gatshëm dhe të sinqertë. 5 republikanët dhe 5 demokratët anëtarë të komisionit thanë se informacioni që mësuan gjatë takimit të djeshëm me dy zyrtarët më të lartë të administratës do t’i ndihmojë ata shumë ndërsa i japin fund raportit të tyre përfundimtar. Raporti do të publikohet nga fundi i korrikut, ndërkohë që intensifikohet gjithnjë e më shumë fushata për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

//ze//

XS
SM
MD
LG