Lidhje

Shtim i trupave shqiptare në Irak - 2004-04-30


Shqipëria është e gatshme të zgjerojë praninë e trupave të saj në Irak. Pas deklarimit të kryeministrit Fatos Nano, këtë qëndrim e ka konfirmuar edhe presidenti i Republikës Alfred Moisiu gjatë një takimi me kryetarë shtetesh dhe zyrtarë të lartë vendesh europiane të mbajtur në Poloni. Ndërkaq edhe ambasadori amerikan në Tiranë James Jeffry është shprehur se komandantët amerikane kanë kërkuar rritjen e pranisë së trupave shqiptare, sepse sic deklaroi ai ata janë thjesht më të mirët.

Tashmë të gjitha autoritetet më të larta të vendit kanë konfirmuar gatishmërinë për të rritur numrin e forcave komando shqiptare që veprojnë në Irak. Pas deklarimeve fillimisht jo shumë të vendosura dhe që linin shteg për interpretime, pak ditë më parë ishte kryeministri Fatos Nano që e pohoi qartë dhe prerë një qëndrim të tillë.

Në një intervistë lëshuar për të përditshmen më të madhe italiane, Corriere della Sera, kryeministri u shpreh se Shqipëria mund të shtonte deri në 200 numrin e trupave të saj në Irak. I njëjti konfirmim ka ardhur dhe nga kryetari i shtetit Alfred Moisiu. Presidenti Moisiu gjatë një takimi me kryetarë shtetesh dhe zyrtarësh europian të zhvilluar dje në Poloni, duke folur për luftën ndaj terrorrizmit dhe angazhimin e Shqipërisë është shprehur se Shqipëria i njeh vështirësitë e kësaj beteje të gjatë e megjithatë është e vendosur të vazhdojë të ruajë, madje të zgjerojë angazhimin e saj ushtarak në Irak dhe në operacione të tjera paqeruajtëse në kuadër të OKB-së dhe Nato-s.

Presidenti Moisiu ka shpjeguar se shteti shqiptar u bashkua me koalicionin kundër terrorrizmit ndërkombëtar për t’i kontribuar paqes e sigurisë në botë si dhe për të punuar nsë bashku me partnerët për lirinë dhe demokracinë në vende të tilla të shytpura si Afganistani dhe Iraku.

Shtimi i trupave në Irak i është kërkuar qeverisë nga Shtetet e Bashkuara, nën komandën e së cilave vepron misioni ushtarak shqiptar.

Gjatë një interviste të dhënë mbrëmë në televizionin Top Channel ambasadori amerikan James Jeffry, i cili ka marrë detyrën e zëvendësambasadorit amerikan në Irak ka deklaruar se komandot shqiptare kanë shërbyer në mënyrë heroike në rrethana shumjë të vështira dhe kanë shërbyer aq mirë, ka vazhduar ambasadori Jeffry, sa komandantët amerikanë kanë kërkuar më shumë shqiptarë sepse ata janë thejsht më të mirët. Ai sqaroi se po punohet me qeverinë shqiptare për këtë cështje e cila saktësoi ai është tani për tani teknike dhe po pritet një përgjigje përfundimtare nga qeveria.

Sot zyra e presidentit Moisiu njoftoi se kryetari I shtetit ka vendosur që ti japë ambasadorit amerikan James Jeffry medaljen “Për Merita të Veçanta Civile”. Sipas motivacionit ambasadori jeffry ka dhënë një kontribut të vyer në konsolidimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe në forcimin e mëtejtshëm të miqësisë e të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

//rd//

XS
SM
MD
LG