Lidhje

Një forcë irakiane sigurimi filloi patrullimin e qytetit të Falluxhas - 2004-04-30


Një forcë sigurie irakiane e sapo formuar filloi patrullimin e qytetit të Falluxhas, një vit pasi presidenti Bush i shpalli të përfunduara luftimet kryesore në Irak.

Komandanti i marinsave amerikanë të vendosur përreth qytetit irakian Falluxhah, thotë se forca irakiane që po dislokohet në qytet, do të përpiqet të vrasë ose të kapë kryengritësit që luftojnë kundër forcave amerikane.

Gjenerali James Conway u tha sot gazetarëve se shumica e një mijë e 100 luftëtarëve që përbëjnë forcën e re, kanë shërbyer në ushtrinë e Sadam Huseinit dhe se disa mund të kenë luftuar kundër marinsave që mbajnë Falluxhën të rrethuar për thuajse një muaj. Forca komandohet nga një prej gjeneralëve të Sadam Huseinit, Jasim Muhamed Saleh.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio dje, presidenti Bush u zotua se përleshjet e vazhdueshme në Irak nuk do të frikësojnë Shtetet e Bashkuara. Presidenti shtoi se dështimi për të krijuar një Irak të lirë do të inkurajonte terroristët nëpër botë. Në përgjigjen e palës demokrate, një veteran i luftës së Vietnamit tha se zoti Bush dhe udhëheqës të tjerë refuzojnë të pranojnë nivelin e dhunës në Irak.

Ndërkaq, në vazhdën e sulmeve kundër forcave të koalicionit u vranë edhe ushtarë të tjerë amerikanë.

Zyrtarët thonë se dy ushtarët humbën jetën nga shpërthime të veçanta të bombave anës së rrugës që kishin në shënjestër autokolona në veriun e Irakut, në jug të qytetit Mosul. Zyrtarët ushtarakë thonë se dy marinarë amerikanë u vranë të premten në luftime me forca kryengritës në krahinë qendrore Al Anbar. Nuk janë dhënë shumë hollësi rreth luftimeve në Al Anbar, por forcat detare u japin shpesh marinsave amerikanë mbështetje logjistike dhe mjekësore.

Ndërkohë, kryeministri britanik Tony Blair thotë se pamjet e trupave britanike që mesa duket po keqtrajtonin një të burgosur irakian janë “krejtësisht të papranueshme”. Zoti Blair tha dje në stacione televizive britanike se nëse vërtetohen këto keqtrajtime, ato duhen dënuar me forcë.

Ushtria britanike ndërmori një hetim pasi gazeta Daily Mirror botoi fotografi që tregonin ushtarë britanikë duke rrahur dhe poshtëruar një të burgosur irakian. Fotografitë u shfaqën pak pasi mediat në botë si dhe televizioni amerikan transmetuan pamje të trupave amerikane duke poshtëruar të burgosur irakianë.

Presidenti Bush u shpreh se ishte indinjuar thellë nga fotografitë. Ai u tha dje gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se një sjellje e tillë “nuk pasqyron natyrën e popullit amerikan”. Ushtria amerikane ka ngritur akuza penale kundër gjashtë ushtarëve dhe pritet të ngrihen padi të tilla edhe për ushtarë të tjerë.

//ze//

XS
SM
MD
LG