Lidhje

Presidenti Bush denoncoi abuzimin e të burgosurve irakianë nga ushtarët amerikanë - 2004-05-01


Gjatë një paraqitje me kryeministrin kanadez Paul Martin, presidenti Bush e dënoi me fjalë të ashpra keqtrajtimin e të burgosurve irakianë nga ana e trupave amerikane.

“Është shumë e neveritshme mënyra se si janë trajtuar të burgosurit irakianë. Një trajtim i tillë nuk pasqyron natyrën e popullit amerikan. Kjo nuk është mënyra se si veprojmë ne në Shtetet e Bashkuara dhe duhet të them se keqtrajtimi i këtyre të burgosurve nuk më pëlqen aspak.”

Presidenti Bush tha se asnjëri nga ushtarët e përfshirë në keqtrajtimin e të burgosurve irakianë nuk pasqyron karakterin e ushtarëve amerikanë të dërguar në Irak.

“Kjo nuk është njerëzore. Nuk është në karakterin e atyre që po i shërbejnë kombit tonë dhe lirisë. Do të ketë një hetim dhe gjërat do të sqarohen.”

Fotografi të të burgosurve të keqtrajtuar janë publikuar dhe transmetuar në televizion në gjithë botën. Në këto fotografi paraqiten ushtarë amerikanë duke qeshur para meshkujve të burgosur irakianë, të cilët janë lakuriq.

Një i burgosur tjetër irakian paraqitet duke qëndruar mbi një kuti me kokë të mbuluar dhe me duar të lidhura me tela. Thuhet se të burgosurit iu tha se do të ekzekutohej në karige elektrike në se rrëzohej nga kutia.

Thuhet se keqtrajtimi i të burgosurve irakianë ndodhi në burgun Abu Garib, në periferi të Bagdatit, i cili kishte qenë një burg famëkeq gjatë regjimit të Sadam Husenit.

Komanda ushtarake amerikane ka ngritur padi kundër gjashtë ushtarëve amerikanë që dyshohet të jenë të përfshirë në këtë rast dhe thuhet se padi do të ngrihen edhe ndaj ushtarëve të tjerë. Pentagoni gjithashtu ka pezulluar nga detyra një zyrtar të lartë të ushtrisë amerikane, gjeneralin Janis Karpinski.

//ze//

XS
SM
MD
LG