Lidhje

Terrorizmi në Siri - 2004-05-02


Në Damask të Sirisë u zhvillua një përleshje e armatosur pasi njerëz të maskuar hodhën në erë një makinë bombë pranë një ndërtese të zbrazur, e cila dikur ishte përdorur nga Kombet e Bashkuara. Tre nga terroristët u vranë dhe i katërti gjendet nën arrestin e shërbimit Sirian të sigurimit.

Terrorizmi nuk është diçka e re për regjimin sirian i cili më shpesh është sponzorizues se sa viktimë e tij. Që nga viti 1979, Siria ka qenë në listën e Departamentit të Shtetit të vendeve që sponzorizojnë terrorizmin.

Në raportin e tij të fundit “Shembuj të Terrorizmit Global,” departamenti i shtetit vë në dukje se Siria vazhdon t’u jep ndihmë politike dhe materiale grupeve terroriste si Hamasi, dhe lejon Iranin ta përdorë Damaskun si qendër lidhëse për furnizimin e grupit terrorist Hezbollah në Liban.

Zëdhënësi i departamentit të shtetit, Adam Ereli, thotë se Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Sirisë që të ndërpresë lidhjet me organizatat terroriste dhe të shkëputet plotësisht nga ata që promovojnë dhunën dhe vrasjen e të pafajshmëve për qëllime politike.

“Siç është bërë e qartë nga sulmet terroriste në Madrid, Riad, në Kasablankë, Stamboll, e kudo gjetkë, asnjë vend apo shoqëri nuk është e paprekshme nga rreziku i sulmeve terroriste. Këtu përfshihet edhe Siria.” “Në luftën kundër terrorizmit”, thotë zoti Ereli, nuk duhet të bëhen kompromise.”

“Mënyra më e mirë për të pasur sukses është që të jesh në anën e drejtë të çështjes dhe ta dedikosh veten plotësisht në luftën kundër terrorizmit. Nuk arrihet marrëveshje me ata që vrasin njerëz të pafajshëm për të çuar përpara rendin e tyre politik të ditës, thotë ndër të tjera ai.”

“Kërcënimi nga terrorizmi është real, thotë zoti Ereli. Dhe sapo të arrish në këtë përfundim, ekziston vetëm një përgjigje e arsyeshme, e ajo është që kërcënimi të luftohet pa rezerva.” Në Siri apo kudo gjetkë në botë. //IB

XS
SM
MD
LG