Lidhje

Praktikat e Terrorizmit Botëror - 2004-05-02


Shtetet e Bashkuara thonë se qeveritë kanë bërë përparim në luftën kundër terrorizmit, por kanë nevojë për më shumë fonde dhe një vullnet më të fortë politik për të vazhduar luftën globale kundër tij. Në një raport të ri, Departamenti i Shtetit vlerëson veprimin e Libisë për të hequr dorë nga terrorizmi por kritikon Iranin për atë që e cilëson si mbështetja e vazhdueshme e Teheranit për terrorizmin me përkrahje shtetërore.

Në raportin e tij vjetor të titulluar Praktikat e Terrorizmit Botëror, Departamenti i Shtetit thekson se numri i incidenteve terroriste vitin e kaluar ishte më i ulët se numri i regjistruar në vitin 1969. Edhe numri i viktimave nga sulmet terroriste vitin e kaluar shënoi rënie, duke zbritur në 307 nga 725 që ishte në vitin 2002.

Megjithatë, sulmet ndaj forcave të koalicionit në Irak dhe Afganistan nuk u përfshinë në shifrat e departamentit megjithëse zyrtarët e administratës i kanë cilësuar kryengritësit si terroristë. Bashkërenduesi i Departamentit të Shtetit për anti-terrorizmin Cofer Black tha se sulmet kundër forcave ushtarake të koalicionit në Irak dhe Afganistan nuk përputhen me përkufizimin e departamentit për terrorizmin.

Raporti theksonte se al-Qaida është dëmtuar ndjeshëm nga përpjekjet ndërkombëtare anti-terroriste. Zoti Black tha se shtimi i bashkëpunimit është kryesisht arsyeja për këtë rënie të incidenteve terroriste:

”Tashmë po zhvillojmë një përpjekje siç është dashur ta zhvillonim gjithmonë: në bashkëpunim. Ne jemi të gjithë të angazhuar dhe kemi interesa të përbashkëta. Ne jemi të angazhuar për të shpëtuar popujt dhe banorët e vendeve tona. Objektivi është të mbrojmë burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm. Tani po e realizojmë këtë objektiv më mirë se më parë.”

Në krye të listës së terrorizmit me mbështetje shtetërore, raporti e cilëson Iranin si shtetin më aktiv në mbështetjen e terrorizmit në vitin 2003. Megjithatë, raporti vë gjithashtu në dukje se disa nga gjashtë vendet e tjera të përfshira në listën e shteteve që mbështesin terrorizmin kanë bërë ndryshime domethënëse. Sudani shënoi përmirësim të konsiderueshëm në bashkëpunim, thekson raporti dhe Libia ka hequr dorë publikisht nga mbështetja për terrorizmin. Zoti Black tha se Libia ka bërë përparim të konsiderueshëm, por ka akoma shumë punë për të bërë para se Shtetet e Bashkuara ta heqin nga lista e vendeve terroriste:

”Është e qartë që ata kanë hequr dorë nga terrorizmi. Ata po i përmbahen qëndrimit që nuk mbështesin më terrorizmin ndërkombëtar. Ka çështje që vazhdojmë t’i diskutojmë me libianët dhe duhet t’i zgjidhim, në mënyrë që të sigurohemi se ata nuk kanë më marrëdhënie me grupe terroriste në asnjë formë.”

Iraku ende renditet në listë, megjithëse qeveria e Sadam Huseinit nuk është më në pushtet. Zoti Black tha se Shtetet e Bashkuara duhet të sigurohen për synimet dhe nivelin e bashkëpunimit nga administrata e ardhshme irakiane para se Iraku të hiqet nga lista.

”Duhet të sigurohemi se qeveria e re në Bagdat nuk do të ketë lidhje me terrorizmin si dhe do ta provojë këtë me akte dhe do të jetë një partnere efektive në komunitetin ndërkombëtar në këtë drejtim.”

Në nivel rajonal, raporti thekson se Azia lindore, veçanërisht Azia juglindore është bërë një bazë e rëndësishme mbështetjeje dhe logjistike për al-Kaidën dhe rrjete të tjera terroriste me synime të ngjashme.

XS
SM
MD
LG