Lidhje

Dita e Nënës dhe lufta kundër dhunës së armëve - 2004-05-02


Ndërsa afrohet Dita e Nënës këtu në Shtetet e Bashkuara, gazetat, revistat dhe programet televizive janë plot me reklama, që i inkurajojnë vajzat, djemtë dhe bashkëshortët të blejnë dhurata për nënën. Por për qindra mijëra nëna, ajo që duan ato nuk mund të blihet e as të mbështillet si dhuratë. Siç njofton korrespondetja jonë, Faiza Elmasry, këto gra po përgatiten të vizitojnë kryeqytetin në ditën e nënës, më 9 maj. Ato kërkojnë nga Kongresi të krijojë për fëmijët e tyre një botë më të sigurt.

Asnjëherë nuk duhet nënvlerësuar fuqia e nënave. Kështu shprehet Donna Dees-Thomases kurdoherë që ajo kujton ngjarjet që e bënë atë aktiviste kundër dhunës së armëve.

“Ishte viti 1999. Në atë kohë punoja si publiciste për Programin e Orëve të Vona me komikun e njohur David Letterman. Një ditë, në Kaliforni ndodhi një incident - fëmijët u qëlluan me armë zjarri. Ata ishin të një moshe me dy fëmijët e mij. Mendova se duhet të bëja çdo gjë si nënë. U telefonova 5 mikeshave të mija më të ngushta dhe u kërkova të më ndihmonin të organizoja një marshim. Asnjëra nuk më tha se isha e çmëndur. Ato më premtuan ndihmë dhe vërtet më ndihmuan.”

Pas 9 muajsh mobilizimi, rreth 750 mijë demonstrues kundër dhunës, nëna dhe familjet dhe miqtë e tyre, marshuan së bashku në Washington. Zonja Dees-Thomases e krahason të ashtuquajturin Marshimin e parë të një milion nënave me lindjen e parë.

“Ne ishim të gëzuara dhe plot entusiazëm. Qanim dhe ishim nervoze, vazhdimisht në gjendje paniku. Nuk e dinim se ç’po bënim. Ne në fakt bëmë që të lindëte marshimi më i madh i organizuar ndonjëherë në Washington.”

Në vitin 2001, organizata Marshimi i një milion nënave u bashkua me Fushatën Brady për të parandaluar dhunën e armëve. Të dy këto grupe po punojnë për të njohur njerëzit me marshimin e ardhshëm. Zëdhënësi i Fushatës Brady, Rob Wilcox, thotë se këtë vit marshimi ka një objektiv konkret: mobilizimi i publikut për të zgjatur afatin e ligjit për ndalimin e shitjes së armëve automatike, i cili skadon në shtator.

“Presidenti Clinton nënshkroi në ligj aktin për ndalimin e këtyre armëve në vitin 1994, si pjesë e një pakete më të madhe të përgjithshme kundër krimit. Ky ligj ka qënë shumë i efektshëm. Numri i armëve të lidhura me krime ka rënë 66 përqind që prej miratimit të ligjit. Çdo organizatë e rëndësishme e ruajtjes së rendit po kërkon zgjatjen e afatit të ligjit. Ne po i kërkojmë presidentit Bush të mbajë fjalën e dhënë gjatë fushatës së vitit 2000 për të ripërtërirë këtë ligj.”

Industria e armëve dhe organizata të ndryshme si Shoqata Kombëtare e Armëve, janë kundër zgjatjes ose zgjerimit të ligjit të miratuar nga presidenti Clinton. Por Donna Dees-Thomases është e bindur se marshimi i dytë i një milion nënave do të jetë në gjendje të hedhë poshtë argumentet e lobit të fuqishëm të armëve. Ajo e konsideron Marshimin e një milion nënave si dhuratë të nënave për brezin e ri të Amerikës. Në se është fjala për kontrollin e armëve, përmirësimin e drekës në shkolla apo pastrimin e një parku, Donna Dees-Thomases thotë se nënat gjithnjë mund të bëjnë realitet ndryshimet e dëshiruara.

Ndërkohë që mijëra nëna bëhen gati të dalin në marshim, zonja Dees-Thomases u bën thirrje atyre njerzve që nuk mund të marrin pjesë që të nënshkruajnë në Internet një peticion, i cili kërkon zgjatjen e afatit të ligjit për ndalimin e armëve. Pas ditës së nënës, Marshimi i një milion nënave do të vazhdojë përpjekjet me një fushatë 4-mujore në mbarë vendin.//ii

XS
SM
MD
LG