Lidhje

Helikopterë izraelitë qellojne një ndërtesë në Gaze ku ndodhet një radio palestineze - 2004-05-02


Helikopterë izraelitë qëlluan me tri raketa një ndërtesë në Gaza ku ndodhet një radiostacion palestinez, vetëm pak orë pasi ekstremistët palestinezë vranë katër fëmijë izraelitë dhe nënën e tyre në atë rajon.

Ende nuk ka njoftime për viktima nga sulmi me raketa që u krye pasi dy sulmuesit palestinzë u vranë menjëherë pas vrasjes së fëmijëve dhe nënës së tyre në hyrje të vendbanimit Gush Katif.

Dy grupe ekstremiste palestineze, Xhihadi Islamik dhe Komiteti i Qendresës Popullore, kanë marrë përgjegjësinë për vrasjet.

Sulmi ndodhi ndërkohë që në Izrael anëtarët e Partisë Likud në pushtet po votonin për planin e kryeministrit Ariel Sharon për tërheqjen nga Rripi e Gazës. Anketat e kohëve të fundit të opinionit lënë të kuptohet se partia do ta hedhë poshtë propozimin e kryeministrit.

Edhe nëse plani nuk miratohet nga partia e tij, zoti Sharon mund tia paraqesë atë kabinetit për votim ose të kërkojë miratimin e tij nëpërmjet një referendumi.

Dje, ministri izraelit i mbrojtjes, Shaul Mofaz, u bëri thirrje anëtarëve të partisë Likud që ta mbështesin planin. Zoti Mofaz tha se hedhja poshtë e planit mund të dëmtojë marrëdhëniet e Izraelit me Shtetet e Bashkuara dhe Presidentin Bush, i cili e mbështet propozimin e udhëheqësit izraelit.

Plani parashikon tërheqjen e trupave izraelite nga pjesa më e madhe e Rripit të Gazës, tërheqjen e të gjitha vendbanimeve hebraike nga ky territor dhe të katër vendbanimeve nga Bregu Perëndimor.//ii

XS
SM
MD
LG