Lidhje

Komisionit i OKB-së për të Drejtat e Njeriut nuk kritikon Iranin - 2004-05-02


Sesioni vjetor i Komisionit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut përfundoi në Gjenevë pa shprehur kritika për Iranin. Heshtja e komisionit pason një vit shkeljesh shqetësuese nga regjimi fondamentalist islamik i Iranit: rrahja për vdekje e fotoreporteres iraniano-kanadeze Zahra Kazemi, gjatë kohës që mbahej nga autoritetet; diskualifikimi i mijëra kandidatëve për zgjedhje; mbyllja e gazetave dhe revistave të pavarura; burgosja e gazetarëve, studentëve dhe reformatorëve të tjerë; dënimi i disidentëve me rrahje ose vrasje.

Ligji në Iran mohon të drejtat themelore të njeriut. Siç njoftoi një ndër grupet e punës të komisionit, sistemi ligjor i Iranit thekson se “dëshmia e një burri është e vlefshme me dëshminë e dy grave”; ndëshkimet për mëkate “kundër ligjit të shenjtë” përfshijnë “dënimin me vdekje, kryqëzimin, goditjen me gurë, prerjen e dorës së djathtë dhe për përsëritje të mëkatit, prerjen e këmbës së majtë, rrahje”; “procedurat penale janë plotësisht në duart e një personi të vetëm, pasi gjykatësi ngre akuzat, heton dhe merr vendim për çështjen.”

Ndryshe nga qëndrimi i Komisionit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për lirinë e opinionit dhe shprehjes, Ambeyi Ligabo nuk ka qëndruar në heshtje lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut në Iran. Në janar, pas një vizite në atë vend, zoti Ligabo nxori një raport në të cilin përshkruante “atmosferën e frikës së shkaktuar nga shtypja sistematike e atyre që shprehin pikëpamje kritike kundër doktrinës së autorizuar politike dhe fetare.” Ai tha se dënimet e rrepta që vendosen nga qeveria kanë çuar në “vet-censurë në radhët e gazetarëve, intelektualëve, politikanëve, studentëve dhe mbarë popullsisë.” Duke pasur parasysh këto rezultate, zoti Ligabo rekomandoi që Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për çështjen e turturave dhe Raportuesi i Posaçëm i kësaj organizate për pavarësinë e gjykatësve dhe juristëve të vizitonin Iranin.

Presidenti George Bush tha se megjithë shkelje të tilla, dëshira për liri është e gjallë në Iran.

"Të ndeshur me shtypje të ashpra, iranianët me guxim shprehen për demokracinë, shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut."

Shtetet e Bashkuara, ka thënë presidenti Bush, i mbështesin fuqishëm aspiratat e popullit iranian për liri.

//ze//

XS
SM
MD
LG