Lidhje

Plani i kryeministrit izraelit hidhet poshtë nga Partia e tij Likud - 2004-05-03


Anketat me zgjedhësit që sapo kishin votuar në Izrael treguan se plani i kreyministrit Arial Sharon për tërheqje të njëanshme nga zona palestineze është hedhur poshtë nga Partia e tij Likud. Zoti Sharon pohoi se ka pësuar humbje në referendumin e ditës së djeshme, por shtoi se nuk ka në plan të japë dorëheqjen.

Anekatat e zhvilluara me zgjedhësit pas votimit mbrëmë vonë treguan se 58 deri në 62 për qind e anëtarëve të partisë Likud votuan kundër planit të kryeministrit për t’u tërhequr nga Rripi i Gazës dhe disa pjesë të Bregut Perëndimor.

Vëzhguesit thonë se kundërshtarët e planit kishin më shumë motive sesa përkrahësit e zotit Sharon. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Partisë Likud tha se vetëm 40 për qind e afro 200 mijë anëtarëve me të drejtë vote në këtë referendum morën pjesë në votim.

Megjithë pjesëmarrjen e ulët në votime, një tjetër faktor që me sa duket veproi kundër kryeministrit ishte vrasja dje e një gruaje izraelite shtatzënë dhe katër vajzave të saj në një pritë nga palestinezë të armatosur në Rripin e Gazës. Mendohet se vrasjet u bënë shkak që shumë anëtarë të lëkundur të Partisë Likud ta kundërshtonin planin.

Dy grupe palestineze morën përgjegjësinë për sulmin, Xhihadi Islamik dhe Komisionet për Qëndresën Popullore, por zyrtarët izraelitë kanë fajësuar presidentin palestinez Yaser Arafat dhe grupin Hamas, i cili ka kryer më parë një numër sulmesh vetvrasëse, të cilët kanë shkaktuar vdekjen e dhjetëra izraelitëve.

Ranaan Gissin, zëdhënës i kryeministrit Sharon tha se vrasja e pesë izraeliteve është një përpjekje për të sabotuar planin e zotit Sharon për tërheqje nga Rripi i Gazës dhe pjesë të Bregut Perëndimor.

"Fakti që ky sulm ishte planifikuar për sot tregon se organizata terroriste Hamas, e cila po vë në zbatim strategjinë e Yaser Arafatit për terror, si dhe vetë Arafati po e vazhdojnë këtë strategji dhe janë të shqetësuar për mundësinë e suksesit të këtij plani që është në të mirë të Izraelit. Ky plan do të na japë një nivel më të lartë lirie në luftën kundër terrorizmit dhe njëkohësisht do të parandalojë çdo lloj justifikimi për të shmangur veprimet kundër terroristëve."

Ndërkaq, zoti Sharon tha në një deklaratë mbrëmë se synon të qëndrojë në postin e kryeministrit pavarësisht nga rezultati i referendumit. Ai la gjithashtu të kuptohej se vendimi i Partisë Likud nuk ishte vendimi përfundimtar për planin. Zoti Sharon tha se, përveç konsultimeve për anëtarët e fraksionit të tij, ai do të diskutonte edhe me parti të tjera si dhe me anëtarët e kabinetit lidhur me ndikimin që do të ketë rezultati i referendumit. Zoti Sharon tha se ai u zgjodh për të gjetur rrugën për “paqe dhe siguri” gjë që mund të interpretohet se ai ende ka në plan t’ia paraqesë planin kabinetit dhe parlamentit, ku ai ka më shumë gjasa për të marrë mbështetjen e shumicës.

“Unë kam të qartë një gjë,” tha kryeministri izraelit, “se populli izraelit nuk më zgjodhi që të rri duarkryq për katër vjet.”

Kryeministri palestinez Ahmed Kureia i vlerësoi rezultatet e referendumit dhe i bëri thirje zotit Sharon të hiqte dorë nga plani. Udhëheqësi palestinez tha se shansi më i mirë për paqe është rigjallërimi i bisedimeve ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve për arritjen e një marrëveshjeje të përhershme për t’i dhënë fund konfliktit.

Zoti Kureia i pat mirëpritur përpjekjet për t’u dorëzuar palestinezëve territor të banuar nga kolonët hebrenj, por e kundërshtonte idenë e realizimit të këtij synimi në mënyrë të njëanshme, siç parashikonte plani i zotit Sharon.

//ze//

XS
SM
MD
LG