Lidhje

Intervistë me Z. Robert Jauncey, i ngarkuar i Bankës Botërore për Kosovën - 2004-05-04


Që nga koha e përfundimit të luftimeve, në vitin 1999, Banka Botërore ka patur një sërë projektesh në Kosovë, me synim rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta, si dhe mbështetjen e institucioneve demokratike në vend. Kohët e fundit Banka Botërore miratoi shumën e 15 milionë dollarëve si ndihmë financiare falas për Kosovën. Në një intervistë që i dha koleges sonë Laura Konda, i ngarkuari i Bankës Botërore për Kosovën, Robert Jauncey, tha se edhe në të ardhmen, Banka Botërore do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën.

Zëri i Amerikës Kohët e fundit Banka Botërore miratoi Strategjinë për Mbështetjen e Tranzicionit në Kosovë, që është dokumenti kryesor që ka Banka Botërore për zhvillimin e një vendi. Në çfarë drejtimesh kryesore do ta mbështesë Banka Botërore Kosovën deri në vitin 2005?

R. Jauncey: Strategjia për Mbështetjen e Tranzicionit për Kosovën, e cila do t’i jepet Kosovë gjatë 18 muajve të ardhshëm, u miratua nga Bordi i Bankës Botërore në fillim të këtij muaji. Elementi kryesor i saj është se ajo është një angazhim i Bankës për t’i dhënë 15 milionë dollarë mbështetje financiare falas për Kosovën, në vazhdim të ndihmës prej 80 milionë dollarësh që i janë dhënë Kosovës që nga vitit 1999, pas përfundimit të luftimeve.

Zëri i Amerikës: Shuma prej 15 milionë dollarësh duket mjaft e vogël për nevojat e mëdha që ka sot Kosova. A mendoni se kjo do të jetë fillimi i disa ndihmave të tjera nga ana e donatorëve të ndryshëm ndaj Kosovës?

R. Jauncey: Natyrisht, që Kosova ka një numër të madh nevojash, ashtu sikurse edhe shumë vende të tjera të botës. Banka Botërore e mori vendimin për t’i dhënë këtë ndihmë financiare Kosovës mbi bazën e një shpërnarjeje të drejtë dhe proporcionale të fondeve, duke u bazuar në nivelin e zhvillimit dhe nevojat e vendeve të ndryshme. Prandaj mund të them se dhënia e fondeve për Kosovën është bërë duke marrë në konsideratë edhe nevojat e vendeve të tjera, si dhe mundësitë që ka Banka Botërore për t’i plotësuar ato. Mendoj se në të ardhmen, do të jemi të aftë të fillojmë një program për dhënien e kredive, duke krijuar kështu mundësinë që ndihma e Bankës për Kosovën të shtohet. Do të theksoja se bashkësia ndërkombëtare ka dhënë në tërësi 2 miliardë dollarë që nga viti 1999, për Kosovën; dhe ka patur disa suksese për shkak të programeve të rindërtimit, si edhe në saje të përkushtimit të vetë palës kosovare: janë ndërtuar më tepër se 50 mijë shtëpi, mijëra kilometra rrugë, janë bërë përmirësime në shërbimin shëndetësor. Pra, do të thoja që bashkësia ndërkobmëatre ka qenë shumë bujare me Kosovën.

Zëri i Amerikës: Një nga problemet që ka sot Kosova është kalimi i kompetencave nga UNMIK-u tek zyrtarët vendorë. Zyrtarët vendorë ankohen se nuk kanë kompetencat e nevojshme, ndërkohë që u kërkohet të mbajnë përgjegjësi për gjithshka që ndodh në Kosovë. A ka Banka Botërore ndonjë program konkret që e mbështet qeverinë e Kosovës në këtë proces?

R. Jauncey: Banka e përqëndron më tepër punën e saj në fuqizimin e polikave ekonomike dhe në punën me insitucionet e Kosovës, për të ndërtuar këtë kapacitet drejtues në fushën ekonomike. Ne do të punojmë me Ministrinë e Financave, për të ndihmuar në vënien në jetë të programin buxhetor. Gjithashtu do të punojmë me një sërë ministrish, atë të Shëndetësisë, të Arsimit, Mirëqënies Jetike dhe Sociale. Banka do të ndihmojë në fuqizimin e aftësive të institucioneve, në mënyrë që Kosova të përparojë drejt përmbushjes së standarteve, si dhe drejt pakësimit të varfërisë në vend.

Zëri i Amerikës: A ka Banka Botërore ndonjë program të veçantë, i cili do të ndihmonte në arritjen e paqes ndëretnike në Kosovë dhe pajtimin midis shqiptarëve dhe serbëve?

R. Jauncey: Bordi i Bankës, u bashkua me pjesën tjetër të bashkësisë ndërkombëtare për të dënuar dhunën në Kosovë. Me të gjitha programet e saj Banka Botërore përpiqet të nxisë zhvillimin e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Për shembull, ne kemi një fond të veçantë për zhvillimin e Komunitetit, që siguron ndihma për zhvillimin e infrastrukturës, shkollave, ujësjellësit, dhe ne përpiqemi që ato t’i shërbejnë edhe pakicave serbe, por edhe pakicave të tjera, romëve, për shembull që kanë qenë veçanërisht një nga shtresat më të varfëra në Kosovë. Dua të shtoj se Banka Botërore ka mbi 4 vjet që po punon në Kosovë. Ne jemi shumë të kënaqur me përkushtimin që kanë treguar institucionet e Kosovës; mund të them se ne kemi patur një program shumë të suksesshëm: në kushte të vështira, 19 nga 20 projektet që kemi mbështetur kanë qenë të suksesshëm; ne jemi tepër të kënaqur me nivelin e përkushtimit, si dhe që programi i rindërtimit ka qenë shumë i sukseshëm në Kosovë; dhe ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë Kosovën.//ii

XS
SM
MD
LG