Lidhje

Këshilli për Marrëdhënie Amerikano-Islamike: dyfishohen ankesat e myslimanëve për shqetësime e keqtrajtime - 2004-05-04


Autori i një raporti të Këshillit për Marrëdhënie Amerikano-Islamike, Muhanmed Nimer, thotë se numri i ankesave nga banorë të fesë myslimane gjatë vitit 2003 i ka kaluar të 1 mijët, nga 600 që ishin një vit më parë. ”Incidentet shkojnë nga sulme të dhunshme, përfshirë vrasje, sulme fizike apo vandalizma të mjediseve të komuniteteve, kryesisht xhami, në ngacmime verbale, diskriminim në vendin e punës dhe keqtrajtim nga agjencitë qeveritare, kryesisht në lidhje me zbatimin e kërkesës për regjistrim të posaçëm, në bazë të së cilës, imigrantët nga vendet myslimane duhet të fotografohen dhe t’u merren shenjat e gishtërinjve”.

Zoti Nimer thotë se Këshilli për Marrëdhënie Amerikano-Islamike ka përmirësuar aftësitë e tij për përpunimin e ankesave, faktor ky që, siç shprehet ai, mund të ketë ndikuar gjithashtu rritjen e numrit të rasteve të raportuara. Prapëseprapë, shton zoti Nimer, muslimanët shqetësohen nga fakti që kjo prirje është shtuar, në vend që të pakësohet, gjatë viteve të fundit.

Njoftimet për rrahje të myslimanëve dhe akteve vandale ndaj pronave të tyre janë dyfishuar vitin e fundit. Por studimi tregon për pakësim të ankesave në lidhje me ngacmimet e shqetësimet në pikat e kontrollit në aeroporte.

Këshilli për Marrëdhënie Amerikano-Islamike ka ndjekur gjendjen e të drejtave civile të myslimanëve në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1995.

Zoti Nimer i vë fajin vazhdimit të frikës së amerikanëve që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit. Ai thotë se lufta në Irak dhe dhuna ekstremiste në Lindjen e Mesme kanë ushqyer edhe më tej ndjenjat antimyslimane. ”Lufta në Irak është përmendur në lidhje me një numër incidentesh. Ka patur mjaft shprehjeje urrejtjeje me fjalë, veçanërisht në radio, përsa i përket Luftës në Irak. Ngjarjet dhe incidentet në këtë luftë janë shikuar nën këndvështrimin ”Amerika përballë Islamit”.

Këshilli për Marrëdhënie Amerikano-Islamike po i bën thirrje Kongresit të shqyrtojë nëse politikat për sigurim, të zbatuara pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, kanë cënuar liritë civile dhe çfarë mund të rishikohet për të mbrojtur më mirë komunitetet myslimane. //az//

XS
SM
MD
LG