Lidhje

Pres. Bush: Personat përgjegjës do të nxirren para drejtësisë - 2004-05-05


Presidenti Bush dënoi fuqishëm veprimet që shikohen në fotografi të mara në burgun Abu Graib, në të cilat ushtarë amerikanë në Irak keqtrajtojnë disa të burgosur irakianë.

Presidenti i tha rrjetit arab televiziv Al-Arabija se këto veprime janë të urryera dhe se amerikanët janë tronditur nga këto incidente aq sa edhe vetë irakianët. Administrata e presidentit Bush edhe dje e përqëndroi vemendjen në përpjekjet për të riparuar dëmin e shkaktuar nga keqtrajtimet, për të cilat ushtria thotë se mund të mos jenë incidente të izoluara.

“Kjo është diçka që e pasqyron vendin tonë në mënyrë negative,” tha presidenti Bush duke folur në rrjetin televiziv Al-Arabija me seli në Dubai. Ai shprehu keqardhje, megjithëse nuk kërkoi falje, për fotografitë e të burgosurve irakianë lakuriq, të cilët detyroheshin të bënin poza poshtëruese, ndërkohë që ushtarët amerikanë shikonin.

“Praktikat që ndodhën në atë burg janë të urryera dhe nuk përfaqësojnë Amerikën.”

Megjithatë nuk është aspak e sigurtë në se komentet e presidentit mund të përmbajnë valën e zemërimit të arabëve lidhur me abuzimet, që kanë çuar në ngritjen e akuzave kundër 6 ushtarëve amerikanë dhe tërheqjen e vërejtjes ndaj 6 të tjerëve. David Gergen ka shërbyer si këshilltar i komunikimit për 4 presidentë amerikanë.

“Duke dalë për të folur në televizionin arab, presidenti po bën një hap të rëndësishëm përpara. Shpresoj që ky hap të shënojë fillimin e një përpjekjeje amerikane më këmbëngulëse për të fituar zemrat dhe mëndjet e botës myslimane.”

Një anketë për të vërejtur reagimin e irakianëve, të cilët shikuan intervistën në Bagdad, tregon se ekziston një zemërim i madh lidhur me atë që ndodhi në burgun Abu Graib.

“Si do të ndjeheshin amerikanët në se një gjë e tillë do të bëhej nga irakianët në Amerikë.”

Në komentet e tij të para lidhur me këtë çështje, kandidati i Partisë Demokrate për president, John Kerry, paralajmëroi se ajo që ndodhi në Irak mund të ketë pasoja të rënda për Shtetet e Bashkuara.

“Ky incident mund të bëhet shkak për të rrezikuar trupat tona në Irak. Mund të shtohen aktet terroriste kundër Amerikës dhe amerikanëve dhe janë dëmtuar përpjekjet e përgjithshme të Shteteve të Bashkuara në rajon.”

Pentagoni ka fillua r një hetim të gjerë tani rreth sulmeve dhe vdekjeve të të burgosurve në kampe të tjerë të administruar nga ushtria, përfshirë edhe ato në Afganistan. Në të njëjtën kohë, anëtarët e kongresit e kanë akuzuar sekretarin e mbrojtjes, Donald Rumsfeld se nuk i ka mbajtur ata të informuar rreth të paktën 6 hetimeve lidhur me keqtrajtimet në burgje në Irak që nga janari. Disa anëtarë të kongresit po sugjerojnë tani që sekretari Rumsfeld ndoshta duhet të japë dorëheqje, por presidenti Bush thotë se vazhdon të ketë besim tek shefi i tij i mbrojtjes.

//ze//

XS
SM
MD
LG