Lidhje

Al-Kaida dhe kërcënimi bërthamor ndaj Evropës - 2004-05-06


Një institut i mirënjohur kërkimor në Shtetet e Bashkuara si dhe një ish-senator amerikan shfrytëzuan një provë kompiuterike për të bindur zyrtarët evropianë se Evropa mund të kërcënohet nga një sulm terrorist me armë bërthamore, nëse vendet perëndimore nuk bashkërendojnë përpjekjet për të mbrojtur objektet bërthamore në ish-Bashkimin Sovjetik.

Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Washington dhe ish-senatori Sam Nunn, treguan në një sesion diskutimesh me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe Natos se çfarë mund të ndodhë nëse grupi terrorist al-Kaida do të shtinte në dorë uranium të pasuruar nga reaktorët për studime civile në ish-Bashkimin Sovjetik.

Po sikur të ndërmerrej një sulm me bombë bërthamore ndaj selisë së Natos në Bruksel, nga i cili do të vdisnin menjëherë 40 mijë vetë, do të mbusheshin spitalet nga qindra mijëra të plagosur dhe mbarë Evropa do të përfshihej nga paniku, ndërsa ekonomia botërore do të zhytej në anarki?

Ky është një skenar imagjinar, por bazohet në prova të dokumentuara të përpjekjeve të al-Kaidës për të siguruar uranium të pasuruar si dhe kontakteve të operativëve të kësaj organizate dhe shkencëtarëve pakistanezë për armët.

Zoti Nunn tha se mënyra më e mirë për të mos lejuar që grupi të prodhojë një bombë bërthamore është që al-Kaida të mos shtjerë në dorë material bërthamor:

”Al-Kaida ka aftësinë për të rekrutuar ekspertët teknikë që nevojiten për të ndërtuar një armë bërthamore. Vështirësia qëndron tek sigurimi i materialeve bërthamore, por edhe këtë nuk ua kemi bërë shumë të vështirë.”

Zoti Nunn, i cili propozoi në Senat një program 10 miliard dollarësh për të shkatërruar dhe ruajtur armët e shkatërrimit në masë në Rusi dhe republikat e tjera ish-sovjetike në vitin 1991, thotë se të paktën 60 për qind e këtyre objekteve ende nuk ruhen si duhet.

Ai kërkon nga grupi i tetë vendeve më të pasura të përmbushin angazhimet e bëra dy vjet më parë për t’i shtuar këtij programi 20 miliardë dollarë të tjera gjatë një periudhe 10 vjeçare. Ai thotë se udhëheqësit evropianë duhet të nxisin presidentin Bush dhe presidentin Putin të marrin masa për të mbrojtur objektet ku mbahen uranium dhe plutonium për përdorim ushtarak:

”Përparësia në këtë rast është të mbrohet materiali atje ku ndodhet. Por duhet fokus, bashkëpunim dhe udhëheqje. Presidenti Bush dhe presidenti Putin duhet thjeshtë të zhvillojnë një konferencë, por duhet të deklarojnë në fund të saj se do të kapërcejnë çdo pengesë burokratike për ta përmbushur këtë punë.”

Rolf Ekeus, ish kryeinspektor i Kombeve të Bashkuara për armët në Irak thotë se zyrtarët që morën pjesë në sesion, arritën në përfundimin se aktualisht Evropa është po aq në shënjestër të terroristëve me armë jokonvencionale sa edhe Shtetet e Bashkuara. Kjo, tha ai, është pjesërisht rezultat i faktit që terroristët mund të kapërcejnë me lehtësi kufijtë evropianë dhe kanë ngritur celula thuajse në çdo vend evropian.

”Është e qartë se Evropa është bërë bazë dhe terren planifikimesh për veprime terroriste.”

Ish senatori Nunn, zoti Eekus dhe zyrtarë të tjerë që organizuan këtë takim, pohojnë se masat për të mos lejuar që materiale bërthamore të bien në duart e terroristëve janë të kushtueshme. Por, ata theksojnë se pasojat e një sulmi të ngjashëm me atë në simulimin e tyre kompiuterik do të ishte tejet i kushtueshëm.//ii

XS
SM
MD
LG