Lidhje

SHBA: Anëtarësimi i Sudanit në Komisionin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, veprim absurd - 2004-05-07


Qeveria e Sudanit ka mbështetur grupet e armatosura arabe gjatë fushatës së spastrimit etnik të rajonit Darfur në perëndim të këtij vendi. Mijëra sudanezë afrikanë janë sulmuar nga grupet e armatosura arabe.

Sipas disa njoftimeve, rreth 30 mijë persona mund të jenë vrarë. Rreth 1 milionë të tjerë janë dëbuar nga shtëpitë nga grupet e armatosura kryesisht arabe që njihen me emrin Janjaweed (Xhanxhauit). Por kjo nuk e ndaloi Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara ta zgjidhte Sudanin për një mandat të tretë në Komisionin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së.

Sichan Siv, ambasadori amerikan në Këshillin Ekonomik dhe Social të OKB-së, e quajti këtë një veprim absurd. Delegacioni amerikan, me në krye ambasadorin, u largua nga salla e punimeve të Komisionit, më 4 maj. Anëtarësimi i Sudanit në komisionin e të drejtave të njeriut, tha ambasadori Siv, minon punën dhe besueshmërinë e këtij Këshilli.

“Më e pakta që mund të bëjmë është të mos lejojmë anëtarësimin e një vendi, në organizatën e vetme botërore të ngarkuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut, pikërisht në kohën kur mijëra banorë të këtij vendi vriten ose rrezikojnë të vdesin nga uria.”

Në takimin e Komisionit të OKB-së për të drejtat e Njeriut në muajin prill, i dërguari kryesor amerikan, Richard Williamson, foli mbi krimet e kryera nga grupet arabe që gëzojnë mbështetjen e qeverisë sudaneze.

“Banorët civilë janë bërë me qëllim objekt sulmesh. Civilët vriten pa dallim. Përdhunimet dhe format e tjera të dhunës seksuale, janë përdorur si armë lufte.”

Ambasadori Williamson i bëri thirrje Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut të dënojë veprimet e Sudanit. Por komisioni, lëshoi vetëm një deklaratë të butë duke shprehur “shqetësim të thellë”, rreth asaj që e quajti “shkelje, siç njoftohet, të të drejtave të njeriut”.

Me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera, OKB-ja po përëpiqet të sigurojë ushqime dhe ndihma të tjera humanitare për qindra mijëra njerëz të dëbuar nga shtëpitë e tyre në Darfur. Por që kjo të bëhet e mundur, thotë James Morris, drejtor i Agjencisë së OKB-së për Ushqimin, qeveria sudaneze duhet të bëjë pjesën e saj.

Dhe kjo do të thotë para së gjithash, të ndalojë spastrimin etnik të Darfurit. //kk//

XS
SM
MD
LG