Lidhje

Irak: përleshje të trupave amerikane dhe britanike në disa qytete - 2004-05-07


Trupat amerikane dhe ato britanike u përleshën dje në disa qytete të Irakut me anëtarë të milicisë besnike të klerikut radikal shiit Moqtada al-Sadër.

Luftimet e përhapën në Basra, ku qindra burra anëtarë të Ushtrisë Mehdi sulmuan ushtarët britanikë dhe hapën zjarr me raketa kundër selisë së koalicionit në këtë qytet jugor. Forcat britanike përdorën tanke dhe automjete të blinduara për të siguruar zonën. Një zëdhënës ushtarak britanik tha se dy anëtarë të milicisë irakiane mbetën të vrarë dhe tre ushtarë britanikë u plagosën në përleshjet e djeshme në Basra.

Më në veri, në qytetin Amara, trupat britanike u angazhuan në një betejë të ashpër me kryengritës pasi hynë me forcë në një nga zyrat e klerikut al-Sadër. Një zëdhënës i ushtrisë britanike thotë se dy ushtarë të koalicionit u plagosën në betejën e Amarës. Në këto luftime mbeten të vrarë të paktën tre anëtarë të milicisë.

Pas sulmeve në jug të vendit, forcat amerikane rrethuan zyrat e klerikut al-Sadër në Bagdad dhe ndaluan të paktën 3 ndihmës të tij. Trupat amerikane u përleshën gjithashtu me anëtarë të milisisë së Maqtada al-Sadërit në qytetin e shenjtë të Karbalës.

Nderkohe, komandanti i burgjeve të administruar nga Shtetet e Bashkuara në Irak tha se ushtria do të vazhdojë të mbajë në funksionim burgun e Bagdadit, ku kohët e fundit u bënë publike abuzime të të burgosurve irakianë nga ushtarë amerikanë.

Gjeneral-majori Geoffrey Miller tha dje se nuk ka plane të menjëhershme për mbylljen e burgut të Abu Graibit, megjithë thirrjet e disa politikanëve në Shtetet e Basghkuara për shkatërrimin e këtij burgu.

Gjenerali Miller tha se në të ardhmen ushtarët do të parandalojnë të gjitha abuzimet dhe do të mbrojnë të drejtat e të burgosurve në burgjet e administruar nga amerikanët.

Këto komente përkuan me pohimet e njërit prej ushtarëve të akuzuar për abuzimin e të burgosurve në burgun Abu Graib. Specialistja Sabrina Harman i tha gazetës amerikane The Washington Post rreth praktikave për të cilat ajo dhe 5 ushtarë të tjerë përballen me akuza.

Në pjesë të një shkrimi nëpërmjet postës elektronike dërguar kësaj gazeta, të botuara në numrin e saj të djeshëm, Sabrina Harman shkruan se njësia e saj ishte caktuar, sipas fjalëve të saj, që t’i mbante të burgosurit zgjuar dhe ta bënte gjendjen për ta ferr në mënyrë që ata të flisnin.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti Bush tha se vetëm një numër i vogël ushtarësh amerikanë morën pjesë në abuzimin e të burgosurve dhe se ata do të dënohen.

Në përgjigjen e Partisë Demokrate, gjenerali në pension, Wesley Clark, tha se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë ndryshime, përfshirë edhe shkatërrimin e burgut Abu Graib.

Të premten, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se që në fillim të vitit të kaluar kishte shprehur shqetësime rreth trajtimit të të burgosurve në burgjet e koalicionit në Irak, përfshirë edhe burgun Abu Graib. Kryqi i Kuq tha se ua përsëriti këto shqetësime herë pas here forcave të koalicionit.

//ze//

XS
SM
MD
LG